Mijëra qytetarë mbushën sheshin para kryeministrisë edhe sot, në ditën e 14-të të revoltës qytetare, ku u kërkua dorëheqja e Edi Ramës.
Një prej qytetarëve, me aftësi të kufizuara, folës në podium, i cili u shpreh se kishte lindur në ditën e shënuar të 28 nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë, akuzoi kryeministrin si bullizues, duke treguar edhe një histori personale se si kreu i mazhorancës e kishte fyer e sharë.
“Rama është bullizues, jam përplasur me të në telefon pse mbrojta qytetin e Durrësit. Ai më ka quajtur bastard dhe të paaftë në telefon. Por ai është i paaftë. Ai flet për investime strategjike, por personat me aftësi të kufizuara nuk kanë as karrocë. Rama jepe dorëheqjen”, tha i riu teksa foli nga karroca.
Më tej ai shtoi se kjo nuk ishte sjellja e vetme jo etike e kreut të qeverisë, pasi ai fyente edhe personat me aftësi të kufizuar.
“Ka përdorur fjalën daun, sakat, qorr. Tallet me njerëzit, i quan qorr, i quan të verbër. Por i verbër je ti i themi!”, përfundoi ai.
© Panorama.al


















