Azia Juglindore po përballet me përmbytje rekord, të cilat kanë vrarë rreth 150 persona në 4 shtete (Tajlandë, Malajzi, Vietnam e Indonezi) dhe kanë shtyrë autoritetet të dërgojnë anije ushtarake dhe helikopterë për të mbështetur përpjekjet e ndihmës.
Përmbytja ka goditur 10 provinca në të gjithë jugun e Tajlandës, me 33 viktima dhe me qytetin Hat Yai, një qendër biznesi në kufi me Malajzinë, që regjistroi reshjet më të mëdha të shiut në 300 vjet – 335 mm në një ditë të vetme.
Fotot tregojnë automjete dhe shtëpi të zhytura në qytet, ndërsa banorë të dëshpëruar presin shpëtim në çatitë e tyre. Një katastrofë e vërtetë.
Shirat e pandërprerë kanë shkatërruar edhe vendet fqinje. Në Vietnam, numri i të vdekurve është rritur në 98 brenda një jave, ndërsa në Malajzi, më shumë se 19,000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në Indonezi, të paktën 19 persona kanë humbur jetën dhe të paktën shtatë të tjerë kanë mbetur të varrosur nën rrëshqitjet e dheut në Sumatrën Veriore, sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit indoneziane.
Më shumë se 2 milionë njerëz në Tajlandë janë prekur nga përmbytjet, por vetëm 13,000 janë zhvendosur në strehimore. Shumica dërrmuese janë të izoluar dhe të paaftë për të marrë ndihmë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Ushtria tajlandeze, e cila është ngarkuar me përballimin e krizës, tha se po përgatitet të dërgojë një aeroplanmbajtëse dhe një flotilje prej 14 anijesh të ngarkuara me furnizime humanitare, së bashku me kuzhina fushore që thuhet se janë në gjendje të shpërndajnë 3,000 vakte në ditë.
Ekipet mjekësore në bordin e aeroplanmbajtëses do ta shndërrojnë atë në një “spital lundrues” nëse është e nevojshme, tha marina. Varka, kamionë me lartësi të madhe dhe motorë uji janë vendosur gjithashtu për të evakuuar banorët, tha guvernatori i provincës Songkhla, ku ndodhet Hat Yai.
Shirat e rrëmbyeshëm sezonalë janë të zakonshëm në këtë kohë të vitit në Azinë Juglindore, por këtë vit ka pasur nivele jashtëzakonisht të larta përmbytjesh në rajon.
© Panorama.al













