Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjellin në Shqipëri vëzhguesin e zgjedhjeve të 8 majit.Pak ditë pas deklaratës së ambasadorit Arvizu, ka mbërritur dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Charles Lasham, me origjinë britanike dhe me një eksperiencë 30-vjeçare në fushën e monitorimit të proceseve elektorale. Pasditen e djeshme, eksperti i projektit të financuar nga Ambasada e SHBA dhe USAID-i, zhvilloi një takim të shkurtër me anëtarët e KQZ-së, pa praninë e mediave, ku kërkoi kontakte individuale me secilin prej anëtarëve për të diskutuar problematikën e periudhës parazgjedhore. Mbledhja e djeshme u karakterizua nga debate të ashpra mes anëtarëve të shumicës dhe opozitës lidhur me miratimin e anëtarëve të Bordit të Monitorimit të Mediave. Ristani akuzoi tre anëtarët e propozuar nga opozita për vonesat në plotësimin e këtij bordi. “Është në këtë gjendje sepse anëtarët e KQZ-së nuk ishin prezentë kur u bë mbledhja për Bordin”, tha Ristani. Nga ana tjetër, anëtari Artan Laze u përgjigj duke thënë se “arsyet tona të mosparaqitjes janë aq të mëdha, sa mund t’u bjerë të fikët po t’i bëjmë të ditura dhe ngaqë të dua shumë, nuk dua të të bjerë të fikët”. Debate u zhvilluan edhe për lapsusin e bërë nga Laze, i cili tha dy ditë më parë se është anëtar i Partisë Socialiste. “Thashë partia ime, në vend të thosha partia që më ka propozuar mua. Ju e lakoni në shpirtin tuaj të zi”, iu drejtua Laze kryetarit Ristani. Ndërkohë, PD-ja ka kërkuar ndryshimin e disa qendrave të votimit, të cilat, sipas Njazi Kosovrastit, janë lëvizur me qëllim nga kryetarët e njësive bashkiake në njësitë 4 dhe 9 për të çorientuar votuesit e djathtë. “Kjo zhvendosje e realizuar nga Armond Halebi është në kundërshtim të hapur me Kodin. Kandidati i PS-së kërkon t’i çorientojë votuesit e këtyre dy qendrave (1959, 1959/1), pasi ata votojnë dukshëm në favor të PD-së”, thuhet në kërkesën e firmosur nga Njazi Kosovrasti. Përveç dy qendrave të votimit në Njësinë Nr. 9, PD-ja ka identifikuar edhe 7 qendra të tjera në Njësinë Nr. 4, vendet e të cilave janë ndryshuar nga viti 2009. KQZ-ja vendosi dje të thërrasë krerët e këtyre dy njësive bashkiake gjatë mbledhjes së sotme.
Debati dje në KQZ
Arben Ristani: Bordi i Monitorimit të mediave është në këtë gjendje sepse anëtarët e KQZ-zë nuk ishin prezentë kur u bë mbledhja për Bordin.
Genc Gjonçaj: Ky problem i kujt është, kryetar?
Arben Ristani: Jo vetëm aq, por keni edhe paturpësinë të deklaroni në këtë sallë… Mbylle gojën (i drejtohet Gjonçaj) se nuk ta kam dhënë të drejtën për të folur! Fole, tani e kam unë radhën. Meqë kërkove përgjigje, me shumë elegancë të thashë që mos e nxit këtë muhabet.
Artan Laze: I nderuar zoti kryetar. Pikë së pari, mos u nxehni, ruani qetësinë se ajo ju ka lezet. Pikë së dyti, arsyet tona të mosparaqitjes janë aq të mëdha, sa mund t’ju bjerë të fikët po t’i bëjmë të ditura dhe ngaqë të dua shumë, nuk dua të të bjerë të fikët. Unë propozimin tim për anëtarin e Bordit të Monitorimit e kam bërë që në datë 29 mars 2011 dhe sot, që është data 12, bëhet e mundur që të diskutohet.
Arben Ristani: Ju, po të ishit të shqetësuar për anëtarët e Bordit, dy anëtarë mund ta kishin thirrur mbledhjen dhe të sillnit materialin. Sot, që ne e marrim përsipër ta bëjmë, ju na vini në këtë pozitë.
Artan Laze: Pse kështu bëhet puna, me nerva?
Arben Ristani: Po të kishim konsensus, na kishit lënë të votonim Bordin e Monitorimit të Mediave. Sikur zoti Laze të mos deklaronte në mbledhjen tjetër që jam anëtar i PS-së, unë nuk do ta kisha nxitur këtë histori fare.
Artan Laze: Ju jeni aq cinik, nuk dua të them fjalën i poshtër, por jeni aq cinik që e përdorët një lapsus timin.
Arben Ristani: Deklaruat se jeni anëtar i PS-së.
Artan Laze: Thashë partia ime, në vend të thosha partia që më ka propozuar mua. Ju e lakoni në shpirtin tuaj të zi.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











