Vetëdorëzohet i kërkuari për 8 kilogramë kokainë nga Bolivia

Apr 19, 2011 | 10:19

TIRANE – Një person i shpallur në kërkim për trafikimin e tetë kilogramëve kokainë nga Bolivia në Tiranë, u vetëdorëzua dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Burime nga grupi hetimor thanë dje se shtetasi Denis Brahaj është paraqitur me vullnetin e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dje rreth orës 11:30. Së bashku me një avokat, i kërkuari ka shpjeguar se ka vendosur të vetëdorëzohet për të shpjeguar pozicionin e tij në ngjarje. Brahaj ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ngjarjen e trafikimit në Shqipëri të 8 kilogramëve kokainë, e cila mbërriti në vendin tonë nga Bolivia. Forcat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, arrestuan më 3 nëntor 2010 dy personat që shkuan të prisnin pakon me kokainë, por hetimet e mëtejshme gjetën se pakoja në fjalë ishte nisur në adresë të shtetasit Denis Brahaj. Menjëherë, grupi i hetimit bëri shpalljen e të dyshuarit në kërkim duke ia kaluar policisë të dhënat e nevojshme për identifikimin e tij. Sasia e kokainës mbërriti në Shqipëri e fshehur në një kontejner të mbushur me oriz. Ngarkesa ishte nisur nga qyteti Santa Kruz (Santa Cruz) e Bolivisë me destinacion Portin e Durrësit. Megjithatë, lënda narkotike është zbuluar nga skanerët e Portit të Roterdamit në Holandë. Lënda narkotike ishte fshehur në mesin e kontejnerit të mbushur me 150 tonë oriz, të ngarkuar në Santa Cruz të Bolivisë. Emri i personit që e ka nisur dërgesën, sipas prokurorisë, ishte shqiptar, por fillimisht u mendua se emri në fjalë ishte i rremë. Lënda narkotike ishte paketuar në 6 pako, ndërsa vlera e saj, sipas hetuesve, arrin në 1-1.5 milionë euro. Për shkak të itinerarit ndërkombëtar, trageti që kishte kontejnerin me drogë është dashur të kalojë përmes Portit të Roterdamit në Holandë, ku skanerët kanë zbuluar ngarkesën e drogës dhe menjëherë kanë vënë në dijeni autoritetet shqiptare për kapjen e saj.

© Panorama.al

Te lidhura