LIBRAZHD – Vetëdigjet me benzinë nëna e pesë fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi ende pa u gdhirë dita e djeshme, në komunën Stërblevë të rrethit të Librazhdit. Rabie Trompa, 43 vjeçe, u gjet e pajetë në pragun e shtëpisë së saj mëngjesin e së dielës. Sipas policisë së Elbasanit, trupi i gruas u zbulua nga i shoqi, pa asnjë shans mbijetese. Dyshohet se pak orë para se të gjendej viktima, ka lyer trupin me benzinë e më pas i ka vënë flakën vetes. Në dëshminë e dhënë nga i shoqi për hetuesit, ky i fundit nuk ka ndjerë asnjë zhurmë, duke u tronditur nga skena që ka parë jashtë shtëpisë. Ai është shprehur se gruaja ishte me aftësi të kufizuara dhe kishte shfaqur shenja të depresionit më parë. Në zonën e largët ka shkuar një grup pune, për të kryer hetimet mbi shkaqet që e shtynë 43-vjeçaren drejt vendimit ekstrem. Ata kanë marrë dëshminë e të shoqit dhe familjarëve të tjerë, ndërsa kanë siguruar në cilësinë e provës materiale dhe një letër, të cilën dyshohet se viktima e kishte shkruar në mbrëmje. Me anë të saj paralajmërohej vendimi ekstrem. “Do të vras veten”, mësohet të ketë shkruar ajo në letrën e fundit, e cila rezulton të mos jetë gjetur nga familjarët më parë, për të parandaluar fatkeqësinë. Policia ka marrë në pyetje bashkëshortin, i cili ka pranuar dhe faktin se kishin bërë debat, nisur dhe nga kushtet e vështira ekonomike, por jo sa të mendonin për një vetëvrasje. Gruaja ka dalë në pjesën e jashtme të shtëpisë, ku kreu vetëvrasjen. Asnjë kërkesë për ndihmë apo zhurmë e djegies nuk është dëgjuar më parë. Sipas policisë, trupi është gjetur i karbonizuar. Nga ana e grupit hetimor po vazhdon puna deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.











