Vdekja e kryegjyshit, Topi: Udhëheqës altruist, shqiptar i vërtetë

Apr 2, 2011 | 13:47

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.

Shembull të një njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore e ka quajtur në mesazhin e tij Topi, duke ngushëlluar bektashianët e familjarët për humbjen e madhe. “Ai ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij”- thuhet në mesazh.

Sipas Topit, Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të Plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën. “Ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit”-theksohet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi.

© Panorama.al

Te lidhura