Vasili: Në tetor gati strategjia për autizmin

Apr 5, 2011 | 12:13

Në muajin tetor do të jetë gati Strategjia Kombëtare për Autizmin. Ministri i Shëndetësisë, në daljen e tij të parë publike pas aksidentit automobilistik pak javë më parë, e cilësoi autizmin jo vetëm një problem shëndetësor, por dhe social. “Është futur në proces përfundimi i strategjisë, e cila e fut në shinat bashkëkohore këtë fenomen shumë të komplikuar si autizmi. Një grup pune është ngritur për hartimin e Strategjisë, e cila pritet të lançohet në fillim të muajit tetor të këtij viti”, tha Vasili. Ai e quajti shembull të shkëlqyer bashkëpunimin mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe fondacionit “Fëmijët shqiptarë”. “Mund të thuhet se këtë vit Shqipëria ka realizuar një nga bashkëpunimet historike mes pjesës zyrtare dhe veprimit të një spektri të shoqërisë civile të strukturuar, siç është fondacioni ‘Fëmijët shqiptarë'”, theksoi Vasili. Sipas ministrit, sa i përket autizmit, prioritet përbën ngritja e qendrave multifunksionale në mbështetje të personave me çrregullime të spektrit të autizmit dhe familjeve të tyre. “Ministria e Shëndetësisë është e ndërgjegjshme për vështirësitë e çdo familjeje, e cila ka persona me çrregullime të spektrit autik, ndaj dhe po punon për të hedhur bazat e mbështetjes për këto familje”, theksoi Vasili.
Ai nënvizoi gjithashtu se i është kushtuar rëndësi e veçantë përgatitjes së burimeve njerëzore duke u fokusuar në trajnimet e burimeve ekzistuese. “Gjithashtu u bë i mundur edhe shtimi i kapaciteteve për specializimet afatgjata, nisja për herë të parë e specializimit në psikiatrinë infantile”, nënvizoi ministri.

1 per qind
e fëmijëve në Shqipëri mendohet të jenë autikë. Këto të dhëna janë ofruar pak ditë më parë nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, që merret me trajtimin e autizmit.

© Panorama.al

Te lidhura