Tirana edhe një herë është komentuar si qyteti që i tejkalon të gjitha normat normale të ndotjes dhe si rezultat i kësaj edhe shëndeti i qytetarëve është i kërcënuar seriozisht. Për ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, problematik është kombinimi i ndotjeve që krijon një situatë të paparashikuar mjedisore ku dëmi shëndetësor është një nga dëmet më të rënda. Gjatë fjalës së tij në seminarin “Shëndeti mjedisor dhe vlerësimi i riskut”, i cili zhvillohet me mbështetjen e Universitetit Holandez të Maastricht, ministri ka mbajtur edhe fjalën e tij përshëndetëse për aktivitetin. Ajo që në fakt u ngrit si problematikë nga kreu i Shëndetësisë, është fakti që në kryeqytet gjenden të gjitha llojet e ndotjeve si të karakterit infrastrukturor ashtu edhe të karakterit mikrobiologjik (mbeturinat) apo edhe ndotja nga automjetet çka rrit në maksimum rrezikun për shëndetin. “Tirana nuk po merr më frymë. Tonelatat e betonit ia kanë mbytur mushkëritë, sot ajo i përngjan Londrës së 300 viteve më parë”, theksoi ministri gjatë fjalës së tij. Ndërkaq, duke i bërë një analizë më të zgjeruar burimeve të ndotjes, por edhe nënkomponentëve të tyre, ministri vuri theksin në përpjekjet që bëhen për të ulur rrezikun që u kanoset qytetarëve nga ndotja e mjedisit. “Ne kemi kërkuar t’u hyjmë më në thellësi dëmeve shëndetësore, në mënyrë që gjithmonë e më shumë të ndërtojmë një bazë të fortë shkencore. Kërcënimet kryesore të shëndetit janë të influencuara nga ndotja dhe ju e kuptoni që sa më e lartë të jetë ndotja, aq më shumë faktorët e riskut shtohen”, tha ai. Seminari në të cilin morri pjesë dje edhe ministri është një aktivitet që synon përgatitjen e specialistëve te Institutit të Shëndetit Publik për të bërë vlerësimin shkencor të problematikave mjedisore dhe ndikimit të tyre tek njerëzit dhe realizohet me mbështetjen e Universitetit Hollandez të Maastricht.
Alarmi në statistika
Shumica e institucioneve shëndetësore ndërkombëtare kanë dhënë alarmin për kërcënimin që përbën ndotja mjedisore për shëndetin e njeriut. Kështu është vlerësuar që rreth 20% e sëmundshmërisë në vendet e industrializuara mund t’i atribuohet faktorëve mjedisore, (EU, Environmental and Health Strategy 2004). OBSH-ja ka llogaritur që 13 – 27 % e vdekjeve në rajonin Europian mund të shkaktohen nga ndotësit mjedisor, si ndotësit e ajrit të jashtëm. Risqet mjedisore zënë vendin e 8-të, nga 10-të kërcënimet kryesore të shëndetit në Europë.











