Varret, prifti e kreu i komunës mungojnë në gjykatë

Apr 14, 2011 | 10:34

KORÇE – Kreu i komunës së Boboshticës dhe prifti i kishës së Shën Mërisë nuk u paraqitën në seancën e djeshme gjyqësore, nga ku ishin thirrur në cilësinë e dëshmitarit. Për këtë shkak, procesi gjyqësor për dhunimin e varrezave të vjetra të këtij fshati regjistroi një tjetër shtyrje. Pas dhënies së dëshmive të 8 banorëve nga fshati Boboshticë në seancën e mëparshme, ka qenë radha e kryetarit të komunës Drenovë, Flamur Sala, si dhe priftit të kishës së Shën Mërisë, ku ndodhen varret e vjetra të Boboshticës, At Jani Trebicka, si dy dëshmitarë kyç të çështjes. Por, as njëri dhe as tjetri nuk janë paraqitur në procesin gjyqësor si dëshmitarë të kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës. Mungesa e dy dëshmitarëve nuk është justifikuar, dhe nga ana e gjykatës është vendosur që të shtyhet seanca dhe kryekomunari Flamur Sala dhe prifti at Jani Trebicka të thirren forcërisht për seancën e ardhshme. Ndërkaq, në gjykatë janë paraqitur rregullisht tre të pandehurit e akuzuar për dhunim të varreve të Boboshticës, kreu i OMONIA-s së qarkut Korçë, Naum Disho, si dhe punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe.                    g.a

© Panorama.al

Te lidhura