Kristi Vangjeli do të shfaqet më shumë në Korçë në ditët në vazhdim. Qëllimi i ardhjes së tij në vendlindje nuk ka lidhje me futbollin, por me politikën. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se ai do të jetë pjesë e fushatës elektorale. Jo se Vangjeli do të kandidojë, por do të jetë përkrah mikut të tij Bledi Shkëmbi, në fushatën elektorale të këtij të fundit. Shkëmbi kandidon për anëtar të Këshillit Bashkiak të qytetit, teksa mban numrin 4 në listën zyrtare të Partisë Demokratike. Ndonëse Shkëmbi është automatikisht i futur në këshill për vetë vendin që mban në listë, kjo e nxit atë të jetë aktiv në fushatë. Ndaj, ai ka vendosur që bashkë me të, të jetë edhe një tjetër futbollist i njohur si Vangjeli. Lojtari që jeton bashkë me familjen në qytetin grek të Selanikut, do ta bëjë shumë shpesh rrugën Korçë-Selanik dhe anasjelltas, për t’u thënë qytetarëve të Korçës se duhet të mbështesin një futbollist qëtë përfaqësojë interesat e tyre brenda dhe jashtë futbollit në “Parlamentin” e ri të qytetit.











