Ushqimet e ilaçet, PS dorëzon draftin për TVSH

Oct 4, 2011 | 15:46

TRANË- Partia Socialiste ka dërguar sot në Kuvend draftin për TVSH-në, ndryshe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7928, Datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”,  i ndryshuar”

Në relacionin që shoqëron këtë projektligj thuhet se “barra fiskale për çdo familje shqiptare gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 18 %. Gjatë kësaj periudhe megjithëse të ardhurat disponibël për konsum ishin rritur me 44 %, vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë; energjia elektrike është rritur 62 %, barnat jane rritur 43 %, shërbimi shëndetësor është rritur 50 %, mielli, buka, sheqeri, vaji, orizi janë rritur mesatarisht me 52 %.”

Sipas Partisë Socialiste qëllimi kryesot i propozimit të këtij ligji është për të lehtësuar përballimin e jetesës së shqiptarëve, nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale dhe ndikimit direkt te çmimi i këtyre produkteve, duke shtuar se “ulja e cmimeve do të kontribuonte në rritjen e kërkeses, për këto produkte.”

PS kërkon që në ligj të bëhen këto ndryshime;

Pas nenit 24/1 te ligjit, të shtohen nenet 24/2 dhe 24/3 me këtë përmbajtje:

“Neni 24/2

“Furnizimi për grurin, miellin, bukën,  qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën ç%, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.

Neni 24/3

Duke filluar nga dt. 1 janar 2012, furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetsore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar.”

Neni 2

Pika 2 e nenit 30 të hiqet.

Neni 3

Ngarkohet Ministria e Financave të nxjerrë udhëzimet në zbatim të këtij  ligji.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi  15 dite pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1 Janari 2012.

© Panorama.al

Te lidhura