EKSKLUZIVE/ Këtë vit në Tiranë do të ketë më pak studentë të rinj që ndjekin shkollën e lartë, dhe kjo e fundit do të jetë më e shtrenjtë. Gazeta zbardh sot propozimet e Universitetit për të gjitha fakultetet dhe degët. Në total do të pranohen
5620 maturantë, ose 320 më pak se një vit më parë. Shkurtimin më të madh e ka Fakulteti i Shkencave. Universiteti hedh dyshime për 110 shkurtimet te Mjekësia: “Nuk argumentohen”. Zbardhen edhe tarifat. Dekanët kanë kërkuar shtesa deri në 12 mijë lekë. Drejtësia dhe Historia kanë vendosur të mos i rritin çmimet.
Universiteti i Tiranës ka propozuar 320 kuota më pak për pranimet e këtij viti. Dekanët kanë dërguar në zyrat e Universitetit kërkesa për 5620 pranime të reja, ndërsa një vit më parë janë pranuar 5940 studentë të rinj.Gazeta boton sot tabelat me propozimet e të gjitha fakulteteve, të ndara sipas degëve. Fakulteti i Mjekësisë parashikon të pranojë këtë vit 110 studentë më pak, duke shkurtuar pranimet në të katër degët e tij. Ky ndryshim është parë me çudi në Rektoratin e Tiranës. Shënimi në fund të fletës së pranimeve hedh dyshime për numrin e zvogëluar të studentëve. “Nuk ka argument për këto shkurtime”, thuhet në shkresën e Universitetit. Por jo vetëm Mjekësia ka propozuar më pak kuota. Fakulteti i Ekonomisë ka 50 kuota më pak se një vit më parë. Janë propozuar 10 kuota më shumë për Degën e Ekonomiksit, por janë shkurtuar 60 kuota për Degën e Informatikës Ekonomike. Sidoqoftë, Fakulteti me shkurtimin më të madh është ai i Shkencave të Natyrës. Në total janë propozuar të pranohen 160 studentë më pak në të 10 degët e këtij fakulteti.
Tarifat
E kundërta ka ndodhur me tarifat. Dekanët kanë propozuar pranë Universitetit të Tiranës shtesë në tarifat e tyre, rreth 50-60 për qind. Gazeta boton kërkesat e dekanëve bashkë me tarifat aktuale dhe ndryshimin mes tyre. Shtesën më të madhe e kërkon Fakulteti i Ekonomisë për të gjitha degët e veta. Kërkesa e dekanit është që regjistrimi i studentëve për vitin e parë të jetë 35 000 lekë, nga 22 550 lekë që është aktualisht, pra me një rritje prej 12 450 lekësh. Fakulteti i dytë që kërkon një rritje të ndjeshme të çmimit është ai i Gjuhëve të Huaja. Aktualisht regjistrimi kushton 15 330 lekë, ndërsa dekani kërkon që çdo student të paguajë 25 000 lekë në muaj, pra një shtesë prej 9 670 lekësh. Për çudi, Fakulteti i Historisë nuk ka kërkuar rritje të tarifës, ndërsa ai i Drejtësisë ka kërkuar një ulje modeste, nga 30 660 lekë në muaj, në 30 mijë lekë në muaj. Sidoqoftë, dekanët, dhe më vonë Rektorati, mund të dërgojnë kërkesat e tyre në qeveri, por është kjo e fundit që do të vendosë. Një vit më parë, të gjitha kërkesat e Rektoratit të Tiranës u hodhën poshtë dhe tarifat vetëm sa u korrektuan me inflacionin, pra nuk pati rritje. Këtë vit, që është edhe vit elektoral, përsëritja e të njëjtit vendim është më e pritshme.
Universiteti i Tiranës është më i madhi në vend dhe bashkë me sistemin me kohë të pjesshme pritet të ulen në auditorët e tij rreth 7000 studentë të rinj. Gara është në fazën e saj fillestare, pasi fillimisht maturantët duhet të japin 4 provimet e maturës. Vetëm pasi të kenë marrë rezultatet e tyre ata do të mund të plotësojnë formularin A2, ku do të zgjedhin 10 të preferuarat në mbi 200 degë që u vihen në dispozicion.
Ndryshimet e bëra në maturën e vitit 2011 konfirmojnë se maturantët, nëse nuk marrin nota kaluese në provimet me zgjedhje krahas atyre të detyruara, nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme. Për rrjedhojë, nuk do të lejohen të vijojnë procedurën për ndjekjen e studimeve të larta. Kësaj kategorie u hiqet edhe shansi i dytë për marrjen e provimeve gjatë vjeshtës. Marrja e notave kaluese në katër provimet do të jetë kushti bazë për të vijuar garën për pranimet në universitet gjatë vitit akademik 2011–2012.
40 mije
maturantë do të japin këtë vit provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me dëftesën e maturës.
5620 studente
të rinj pritet të ulen në auditorët e Universitetit të Tiranës për vitin e ardhshëm akademik. Propozimet janë dërguar tashmë në Ministrinë e Arsimit.
Maturantët, kush kopjon në një provim, i humbet të katërta
“Nëse përjashtoheni nga provimi për kopjim, humbisni këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Këto provime mund t’i jepni vetëm vitin e ardhshëm shkollor”. Kështu ka vendosur Ministria e Arsimit. Ky rregull aplikohet për herë të parë këtë vit, ndaj nxënësit duhet të bëjnë kujdes, pasi kopjet do t’u kushtojnë jo vetëm humbjen e të drejtës për në universitet, por do të marrin nota jokaluese në të 4-ta provimet e maturës. MASH-i ka nxjerrë së fundmi edhe dy udhëzues për të informuar maturantët për të gjitha procedurat e provimit. Në njërin nga manualet, MASH-i ka përmbledhur pikat bazë që ndihmojnë në përzgjedhjen e programeve të duhura të studimit në shkollat e larta. Në përmbajtje të këtij materiali janë detajimet përkatëse, që nxënësi duhet të dijë për përzgjedhjen e studimeve të larta, qoftë në institucionet publike, ashtu edhe në ato private. Duke iu referuar këtyre të fundit, nxënësit kanë mundësi të evitojnë programet, të cilat nuk janë të licencuara ose të njohura nga arsimi i lartë në vend. Nëpërmjet këtyre udhëzuesve do të merren informacionet e duhura në lidhje me programet e studimit që ofrohen, titujt e profesoratit të përzgjedhur, ambientet e përshtatshme të studimit, statusin ligjor të shkollës së lartë dhe programit të studimit, tarifat e shkollës dhe kushtet e lidhjes së kontratës ndërmjet studentëve, që do të akomodohen në strukturat private.
DEGA KUOTAT Tarifa e regjistrimit
Histori 100 20.440 lekë
Gjeografi 100 20.440 lekë
Gjuhë-Letërsi 100 20.440 lekë
Gazetari 70 20.440 lekë
Anglisht 180 25.000 lekë
Frëngjisht 110 25.000 lekë
Italisht 120 25.000 lekë
Gjuhë Spanjolle 60 25.000 lekë
Gjuhë Ruse 60 25.000 lekë
Gjermanisht 110 25.000 lekë
Gjuhë e letërsi greke 60 25.000 lekë
Gjuhë Turke 60 25.000 lekë
Matematikë 80 20.000 lekë
Fizikë 80 20.000 lekë
Inxh.Mat e info 80 20.000 lekë
Bioteknologji 80
Biologji 120 30.000 lekë
Kimi 60 20.000 lekë
Kimi tek dhe ushqimore 70 20.000 lekë
Kimi industriale 70 20.000 lekë
Informatikë 300 20.000 lekë
Teknologji informacioni 200 20.000 lekë
Administrim dhe punë sociale 100 40.000 lekë
Punë sociale 100 40.000 lekë
Filozofi 100 40.000 lekë
Sociologji 100 40.000 lekë
Psikologji 100 40.000 lekë
Shkenca politike 100 40.000 lekë
Drejtësi 500 30.000 lekë
Shëndeti publik 20 40.000 lekë
Mjekësi 200 40.000 lekë
Stomatologji 100 40.000 lekë
Farmaci 70 40.000 lekë
Infermieri 250 26.550 lekë
Mami 60 26.550 lekë
Laborator 50 26.550 lekë
Fizioterapi 50 26.550 lekë
Logopedi 30 26.550 lekë
Imazheri 60 26.550 lekë
Administrim –Biznes 410 35.000 lekë
Ekonomiks 70 35.000 lekë
Financë 410 35.000 lekë
Info ekonomike 100 35.000 lekë
Admin biznes(Sarandë) 100 35.000 lekë
Administrim biznes Kukës 100 35.000 lekë
TOTALI 5620











