Universitetet, dalin 2847 fituesit e formularit A3

Oct 30, 2011 | 12:12

Shpallen fituesit e fundit në shkollat e larta. Ministria e Arsimit bëri publike dje listën me  2847 emrat e studentëve të rinj që aplikuan me formularin A3. Në dispozicion për këtë fazë ishin vënë plot 3604 kuota të paplotësuara, prej të cilave 757 nuk janë kërkuar fare nga kandidatët. MASH ka publikuar gjithashtu edhe pikët e fundit të fituesve. Deri ditën e premte ata duhet të regjistrohen në sekretaritë e fakul-teteve.  Me këtë fazë mbyllet përfundimisht pranimi në ciklin e studimeve me kohë të plotë në universitete. Për t’u regjistruar duhen një sërë dokumentesh. Përkatësisht, bëhet fjalë për Diplomë të Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave, dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij, dy fotografi dhe mandat i arkëtuar i tarifës së regjis-trimit në zyrat e Postës Shqiptare prej 1550 lekësh për llogari të universitetit ku është shpallur fitues.
Të vetmet kuota që konsiderohen të djegura janë ato të Universitetit të Tiranës. Kanë mbetur rreth 60 të tilla në degët elitare, të cilat nuk do të plotësohen me studentë. Pavarësisht kundërshtimeve të krerëve të UT-së, MASH e ka marrë vendimin. Zbritja e vijës sipas krerëve të këtij dikasteri do të tejzgjaste procesin e pranimeve, ndërkohë që viti akademik ka rreth dy javë që ka nisur.
Më 5 nëntor do të shpallen fituesit e sistemit part-time. Aplikimi është mbyllur dhe fakultetet po merren me shqyrtimin e kandidaturave. Prioritet do të kenë kandidatët që nuk e kanë një shkollë të lartë. Për ta kriter do të jetë nota. Por, brenda kuotave të miratuara për part-time, 20% do të jenë për të gjithë kandidatët që kanë kryer një shkollë të lartë. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit vitin pasardhës. Përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012, të cilët u përkasin këtyre kategorive sociale: të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë të familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, fëmijë romë dhe ballkano-egjiptianë. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore.

Të dhëna për formularin A3
.Prodhuar formularë A3,     16303 copë
.Plotësuar formularë, A3     6815 copë
.Pjesëmarrës në konkurrim,     6789 persona
.Kuota në dispozicion,         3604
.Fitues faza e tretë,         2847
.Kuota të pakërkuara,         757

Pranimet në të gjitha ciklet
Plot 25 183 studentë kanë nisur këtë vit akademik studimet në të gjitha universitetet e vendit në sistemin me kohë të plotë. Aplikuan për t’u pranuar mbi 37 mijë maturantë. Studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit të ri akademik do të mund t’i ndjekin 9350 studentë në të gjitha universitetet publike. Fituesit do të shpallen në muajin nëntor.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura