Bëj shaka se nuk ka burra të tillë. Kam shumë arsye për të thënë kështu: e para se është e diel, e dyta se edhe ata e duan një ditë pushim. Se mos nënqesh njeri! Çështja është shumë serioze. Në ndërgjegje më pulson një sinjal që më shtrëngon të jem e sinqertë. Pastaj, në asnjë hartë nuk ke ku gjen një vend me emrin: “Fshati i Gruas”. Një fshat ku për dreq gruaja thotë se fluturon gomari dhe ai jo vetëm e pranon, por me intuitën e një lakuriqi nate të mbush mendjen se gomari fluturon, madje, për ta bërë sa më të besueshme, tregon se edhe vetë ka fluturuar nja dy herë. Pastaj, ajo zgjohet një mëngjes e ia jep truri të thotë se gomari nuk fluturokërka. Ai e ka gati maskën numër 8123, e vë në fytyrë e të thotë: Zgjohu! Sot është ditë e re, kemi lajme të reja, gomarët na kanë gënjyer. Dhe ne të poshtrit imagjinonim të kundërtën. Mos ky fshati lëviz mbi rrota, ndoshta është kjo arsyeja pse nuk e gjejmë kurrkund! Vulëhumburi e ka hundën plagë, se ajo i praktikon ushtrime për t’ia bërë sa më elastike. Ia tërheq hundën, pastaj ia lëshon, ia tërheq, ia lëshon… E gjithë kjo që ai të jetë i zoti i punës së vet. Se mos ju shkon në mend të thoni se punën e tij e ka marrë lumi! Ai është i rritur tani. E shoqja, kryetarja, ankohet sa lart e poshtë. Fytyra i merr një formë pakënaqësie të përhershme, si ta ketë tatuazh. Dy mollëza të ngritura lart, një mjekër e zvogëluar e sytë që i zhyten në zhguallin e qepallave. Ia plasi shpirtin të gjorës grua. I nden rrobat e lara në tel pa pikë kombinimi. Vazhdon me të tijën pa e kuptuar se ajo e ka pikë në zemër. Aq në merak është, saqë rrezik ia ka regjistruar emrin në listat e votuesve të fshatit të saj, të mos hutohet ai e të humbasë. Shkojnë mirë shumë. Se mos kujtoni se ajo nuk e le të shohë futboll. Jo, ai është burrë i vërtetë. Gjen poshtë jastëkut një mijë lekë e shkon të luajë futboll me shokët. Kur shkojnë në plazh nuk e merr më komerdaren me rosak portokalli, por noton me një të re në formë akrepi që ia ka blerë ajo. Dridhet i tëri, po ajo e lë aty të qajë të plasë, derisa t’i dalë frika. Ou ky! Se mos doni edhe ju një të këtillë! Kam një pyetje të vockël fare për të bërë, por më mirë po e lë fare. Përgjigjet nuk i marr dot sot, se atij i duhet të marrë leje në “polici” që të flasë për mediat.
(Shënim i rëndësishëm)
Një gjest dashurie ka një diferencë të madhe nga ky tjetërsimi i frikshëm i burrave që e ngatërrojnë me mungesën e personalitetit. Janë si makina me naftë të holluar me ujë. Kërkesat e shoqërisë janë të mëdha, por ky kontigjent pa identitet më bën të dyshoj se mos ndoshta nuk e kuptojnë drejtë vendin që kanë dhe e justifikojnë me faktin se po i duan shumë gratë e tyre. Kush është burri këtu???? Mirë që nuk di të luaj domino, se po t’i futesha kësaj loje, tani me siguri do e merrja vesh se si funksionon ajo puna e “dopio gjashtës”. I adhuroj vetëm për një gjë, se si arrijnë të thonë mendimin e tyre para se ajo ta thotë!
I kthehemi çështjes sonë.. E kështu ai harroi të numëronte paratë, të shkruajë emrin e vet e të ulet në karrigen e tij. Kur e pyetën se nga ishte, ai i tha (njëzëri bashkë me ju): “Nga fshati i gruas”. Se mos ndryshoni adresë!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











