Para së gjithash, dua t’ju qetësoj në lidhje me këtë punën e porosisë; Burrat nuk gjenden në gjendje të lirë e jo më ashtu siç i do. Këtë e them sa për të larguar dyshimet që mund të lindin për vende të veçanta apo persona të caktuar që mund të merren me prodhim burrash në seri. Skena përfytyrohet lehtësisht si gjueti shtrigash. Atëherë, problemi është ky: ç’t’i them ndonjërës që e ka ngulitur në kokë se ekziston vërtetë princi i kaltër e madje ky të vjen majë një kali?!
I përvishem punës dhe hetoj nëse ka vërtetë tipa që i plotësojnë kushtet:
1) Që në takimin e parë, të thonë se po vdesin për ty.
2) I zë gjumi duke menduar për ty dhe vetëm për ty.
3) Kanë mënjanë qypa me florinj dhe sofra magjike që shtrohen vetë.
4) Të telefonojnë edhe pa shkak, sa për të dëgjuar zërin.
5) Janë gati të shkojnë deri në fund të botës për ty.
6) Bukurosha që u krekosen shoqeve.
7) Të fortë si Muji dhe Halili.
8) (Kushtin e tetë e dini vetë.)
Rendita vetëm tetë, si për t’u treguar “gjasme” tolerante, por tradhtoj veten pa dashur dhe me një sy gjysmë të mbyllur, me dyshim pyes nëse ia vlen apo jo. Pashë ç’pashë, e arrita në përfundimin se për raste të tilla shërben një jorgan që i mbulon mirë këmbët. Shtriqet njeriu pa e vrarë fare qetësinë. U ngushëllova me një studim që thotë se paskërka rreth gjashtë stile të të dashurit ndaj një personi:
Eros, ludus, storge, mania, agape dhe pragma.
Bëjmë një lojë të vogël: “Kujt i bie dhjeta” dhe ja ku e gjen veten duke zgjedhur njërën nga këto të gjashta dhe në ofertë do jetë edhe “ai” i kaltri. Dy në një. Këtë skemë përllogaritjesh ma nxiti një vajzë që kur fliste me një tjetër, nga mimika e fytyrës merrej vesh se “ai’ nuk e bënte të ndihej si hirushja e tij e vetme. Komedia që luhej në sytë e mi, shoqërohej me një zë të hollë që ia kalonte zemërimit të një maceje që stonon kur një tjetër e sfidon me mjaullimën e vet. Ato tetë pika të kushteve të përmendura më lart, m’i futën në kokë ato. Njëra tymoste dhe i rrotullonte sytë, për të kapur ndonjë sinjal ashtu nëpër hapësirë, tjetra e mbështeste kur kjo ngrysej si bisht cigareje e fikur. Nuk jam e sigurt nëse më bënë veshët apo ajo i tha se do blinte një burrë në supermarket. Përfytyrova sikur në ndonjë nga ato broshurat me oferta që na lënë poshtë derës, të ketë ndonjë gjë të mirë këtë të diel. Blerje të mbara!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]











