Kam zbuluar ca sekrete për meshkujt (jo fare rastësisht). Thuhet se meshkujt preferojnë që ndjenjat t’i shprehin më shumë nëpërmjet veprimeve, sesa fjalëve. Kur fillojnë të bëjnë ndonjë punë në shtëpi, duan të thonë se po vdes për ty, kur i sheh me një leckë pluhurash në dorë, kjo do ishte në vend të një letre të parfumosur me ca fjalë të ëmbla të shkruara në të. “Qiqra në hell”. Po të shkojmë në këtë linjë, duhet të marrim si të mirëqenë filozofinë se ai që të rreh, të do. Mund të kem prekur ndonjërën që partneri e ka lënduar në mënyrë të pakthyeshme. Meqë më duket fare pavend ta them me kaq delikatesë, po përdor fjalët e një vajze rreth të 30-ave që e dëgjoja gjatë një pasditeje në punë: “Më ka shembur në dru”. Fliste shtruar dhe unë e sistemoja në tre akte dramatike gjithë seancën e saj të “formalitetit”.
Akti i parë
Ajo ka në celular numrin e një shoku të vjetër të gjimnazit. Ky “Van Dami” e sheh dhe vorbullat e tornados e fundosin dhe e ngrenë në qiell me forcë si një copë letër. Me këtë vrull, ngjeshet hundështypur përballë me inatin e tij prej përbindëshi. Skena mbyllet me një buzëqeshje, një fjali dhe me tre ngërdheshje: “Si shumë i paske lyer sytë sot moj”.
Akti i dytë
Ngjarjet zhvillohen rrugës për në shtëpi.
Asnjëri nuk është më vetja. Ai është tërbuar dhe shpejton hapat, kurse ajo mezi e ndjek. Me tymin që i del nga koka e me të njëjtin intonacion të tendosur si teli i energjisë elektrike, i thotë se me siguri duhet të jetë e lodhur që ecën ngadalë. Ajo kupton diçka, duke ia ditur kokën. Si burrë që nuk të lë të bësh dëngla, ia kishte bërë të qartë se s’kishte punë me çunat, se nuk kishte ç’i donte më shoqet, se nuk është nevoja t’ua zgjasësh bisedën kujtdo. Tani, si e martuar, ka përkushtime të reja. Mes uljesh e ngritjesh të zërit doemos ka qëlluar edhe ndonjë kapje mënge në nerva e sipër.
Akti i tretë
Syri i majtë merr një nuancë të lehtë lejla dhe dora e përthyer lehtë bën si orë e prishur.
“Vetë e kërkove”, shfajësohet ai, teksa përpiqet të hedhë ndonjë batutë për të qeshur, ç’të duhet ty të takosh atë që bën si bukurosh?” Gratë kur martohen shohin shtëpinë e tyre, hallet …. Ajo e mban një çikë kokën anash dhe nuk e sheh gjithë kohës në sy, edhe pse ai ia kërkon orë e sekondë. Që në fillim ta kam thënë rregulloren, po ti kujton se bëj shaka…
Pasi bie perdja e ankthit të vështrimeve të lodhura të të dyve, nis melodia e trishtë e dy shpinave të kthyera. Refrenin ia njihte aq mirë ajo, saqë kishte blerë një pudër posaçërisht për këtë punë.
Ata tani nuk janë më bashkë, por mendoj se nuk është nevoja që të shkojnë gjërat deri këtu, për ta bërë disi më pak të dhimbshëm fundin.
Këtë javë prilli që nis me gënjeshtra, shijojeni në maksimum, por me gënjeshtra të bardha ama!
Anilda Kaçaçi
e-mail: [email protected]












