Miss Çorovoda: Unë dy vjet peng te banda e Durrësi

Oct 12, 2011 | 12:42
“Banda e Durrësit” dhe avokatët, dje në gjyq

Ish-miss Çorovoda: Më rrëmbyen, që të mos dëshmoja për Sotirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda dha tri ditë më parë pretencën për anëtarët e dyshuar të bandës së Durrësit. Në konkluzionet e Prokurorisë flitet edhe për ngjarjen e ndodhur me shtetasen Valbona J., ish-miss Çorovoda, lidhur me një vrasje, si dhe për trafikimin e saj. Në shtator të vitit 2006, Valbona J., vajza që sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda u përdor si karrem në vrasjen e Marsel Sotirit, ka rrëfyer para prokurorëve se si ishte marrë peng nga të akuzuarit si “anëtarë” të “bandës së Durrësit”, pas vrasjes së Sotirit. Deklarimi i saj u lexua në Gjykatën për Krimet e Rënda dy ditë më parë, teksa prokuroria paraqiti konkluzionet përfundimtare mbi 16 të pandehurit e akuzuar si “anëtarë” të bandës. Sipas Prokurorisë, në deklarimin e datës 27.09.2006, Valbona J. ka deklaruar për ikjen në Itali, shfrytëzimin e saj për prostitucion nga i pandehuri Indrit Taullai, pastaj rikthimin në Shqipëri në vitin 2000. Në vijim, ajo ka vazhduar duke deklaruar se si është rrëmbyer e mbajtur peng nga të pandehurit Indrit Taullai e Endrit Dokle nga muaji dhjetor 2000 deri në vitin 2002.
DEKLARIMI
Në konkluzionet e prokurorisë thuhet se, lidhur me ikjen e saj në Itali e më pas kthimin e saj në Shqipëri në vitin 2000, ajo në deklarimin e datës 27.09.2006, ndër të tjera ka thënë se – “…siç kam deklaruar dhe më parë, unë jam larguar për në Itali pas vrasjes së shtetasit Marsel Sotiri në vitin 1999, në qytetin e Durrësit, Në Itali, shkuam pas vrasjes së Marselit me qëllim humbjen e gjurmëve. Për të shkuar në Itali kishin vendosur të gjithë në grup, persona si: Lulzim Berisha, Klodjan Saliu, Idrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. Unë fillimisht nuk dija gjë, por tek shtëpia më erdhën Klodjan Saliu dhe Indrit Taullai dhe më thanë se do të dërgojmë edhe ty në Itali, pasi ne do të shkojmë atje si grup. Unë nuk pranova të ikja me ta dhe ata në këtë kohë thirrën G…, motrën time, dhe e kërcënuan atë mbi jetën e familjes sime nëse unë nuk do të shkoja në Itali. Genta më tha se nuk ke çfarë bën, të gjeti kjo punë dhe duhet të ikësh. Atëherë unë pranova dhe pas një muaji që kam qëndruar tek shtëpia e Lul Berishës, e cila ndodhet afër stacioni të trenit në Durrës, si dhe në shtëpitë e tjera të Plaurentit, siç kam shpjeguar dhe më parë, jam nisur për në Itali me anije transporti, emrin e së cilës nuk e mbaj mend, por di se pronari i saj ishte shoku i grupit të mësipërm dhe i shtetasit N.K. Fillimisht në Itali iku Luli dhe Klodi, pastaj u nisa unë dhe më pas është nisur Indriti me Lentin. Mua tek shtëpia e Lulit më ka marrë pronari i anijes, i ciki ishte i një moshe rreth 30-35 vjeç, me trup mesatar, rreth 1.70 m i gjatë, me flokë me pak si me onde. Ai nga shtëpia e Lulit deri tek porti më ka marrë me një veturë, marka e së cilës nuk më kujtohet. Para se të ikja nga shtëpia e Lulzim Berishës, aty vinte dhe Indrit Taullai, i cili interesohej për nisjen time në Itali…
Koha kur jam nisur prej shtëpisë së Lulit për në Itali, duhet të ketë qenë kohë dreke dhe prej andej kemi shkuar direkt me makinën e pronarit të anijes në anijen e tij, në Portin e Durrësit. Për të shkuar atje, u futëm nga dera kryesore e portit. Në hyrje të Portit na ndaloi postblloku i policisë dhe pronari i anijes u tregoi atyre një dokument të tijin dhe nga ky dokument nuk pati asnjë problem. Në kohën që u futa në anije, siç e thashë, ishte ditë dhe pronari më sistemoi në një dhomë brenda së cilës kishte një krevat. Një orë pasi u futa në anije, ajo u nis për në drejtim të Italisë dhe, pas disa orësh udhëtimi, aty nga pasditja, më nxori nga dhoma pronari i saj dhe vura re se në anije kishte punëtorët e saj, si dhe kuzhinierin. Në darkë pronari më solli një pjatë me makarona dhe më pyeti nëse ishin të mira apo jo. Kujtoj se anija ishte një anije mallrash dhe jo anije që transportonte njerëz. Udhëtimi nga Durrësi për në Itali zgjati rreth 24 orë dhe, pasi mbërritëm në Bari, ka ardhur pronari tek dhoma ku isha unë. Më ka marrë dhe më ka futur në një vend të fshehtë të anijes, pasi anija do të kontrollohej kur të ndalonte nga Policia italiane dhe unë isha pa dokumente. Vendi i fshehtë ishte banjë dhe konkretisht, kur futeshe në të, pronari i hoqi disa pllaka dyshemesë së banjës dhe poshtë saj ishte një vrime ku futeshe. Pasi futeshe poshtë, pronari vinte përsëri pllakat, kështu që vrima nuk binte në sy. Momentin që unë u futa në këtë vend të fshehtë nga kjo vrimë, gjeta poshtë dhe njerëz të tjerë, ku mund të kenë qenë afërsisht 15-20 veta, të cilët ishin edhe ata pa dokumente.
Unë dola e para nga kjo dhomë, pasi erdhi pronari dhe më nxori. Pasi dola nga dhoma e fshehtë, pronari më zbriti nga anija dhe, sapo u shkëputëm nga anija, ai më takoi me një burrë të moshës rreth 40 vjeç, që ishte shqiptar dhe i njohur me pronarin”.
SHFRYTËZIMI
“Gjatë qëndrimit në Ravena, Indrit Taullai më përdhunoi, duke më kërcënuar gjatë kohës që rrinte me mua. Ai, krahas përdhunimit, më kërkoi të rrija me të dhe të ushtroja prostitucion për llogari të tij. E kërcënuar prej tij, kam qenë e detyruar të rri me të jashtë dëshirës sime. Nga qyteti i Ravenas jemi nisur prapë për në Breshia dhe ka qenë periudha kur Policia italiane kapi Lul Berishën. Në këtë kohë, Klodi bashkë me Lentin kishin ardhur në Shqipëri, ndërsa Indriti ndenji dhe ca kohë me mua, pastaj erdhi për Shqipëri. Para se të vinte në Shqipëri, Indriti më kërcënoi që të shkoja në qytetin e Bergamos dhe të ushtroja prostitucion nën mbikëqyrjen e G.Taullait. Për të shkuar në Bergamo, Indriti më përcolli së bashku me D. (e cila ishte shfrytëzuar si prostitutë në Itali) duke më çuar deri tek stacioni i trenit. Indriti, duke më kërcënuar me jetë, më kërkoi që të hapja sytë e të mos bëja ndonjë gabim, pra të mos denoncoja në polici. Në  Bergamo më priti G.Taullai se është kushëriri i Indritit nga Durrësi. Siç kam deklaruar, nuk vura re që G. të merrej me ndonjë  punë, por me sa kuptonim, para se të shkoja unë, ai ishte marrë me femra, pra me shfrytëzimin e tyre për prostitucion. G. më dërgoi në një shtëpi ku jetonin me qira disa shokë të tij nga qyteti i Durrësit, ku mbaj mend se njëri prej tyre ishte rreth 30 vje,c. Në këtë shtëpi jetuam rreth 15 ditë dhe të nesërmen G. më nxori në rrugë të punoj si prostitutë. Në rrugën ku më nxori G. ishte një vajze tjetër, që me sa kuptova, kishte lidhje me grupin e Lul Berishës, pasi lajmëronte në telefon G. për largimin tim me klientë. Në rrugë si prostitutë unë punova rreth 5 muaj dhe në punë dilja në darkë, rreth orës 21:00 dhe qëndroja deri në mëngjes. Pasi qëndrova për 15 ditë në këtë shtëpi, unë së bashku me G. shkuam në një hotel, në një provincë afër Bergamos. Pasi shkuam në këtë hotel, unë vazhdova përsëri të punoja si prostitutë dhe paratë që nxirrja nga kjo punë, m’i merrte G. për t’ia dërguar Indritit, ndërsa pjesa tjetër e parave në shpenzime për të paguar hotelin, për t’u ushqyer e veshur. Muajin e parë fitoja shumë, rreth 200 mijë deri në 300 mijë lireta në natë, ndërsa në muajin e dytë dhe të tretë fitoja nga 700 mijë deri në 1 milion e 200 mijë lireta në natë. Më shumë punoja të premten deri të dielën. Të gjitha paratë çdo natë mi merrte G. duke thënë që do të m’i ruante, ndërsa e vërteta ishte që ia çonte Indrit Taullait në Shqipëri. Këtë e mësova nga Indrit Taullai, i cili më merrte në telefon dhe më thoshte se paratë i kam unë dhe do të t’i jap kur të vish në Shqipëri. Këtë më duket e bënte që unë të mos ikja nga puna që bëja në rrugë”.
KTHIMI
“Pas rreth 5 muajsh që prostituoja, me G. bëra llafe, dhe vendosa me gjithë kërcënimet e tij, të largohesha e të jetoja e vetme. Pas kësaj zënke, u vendosa në një hotel tjetër dhe aty vjen G. për t’u pajtuar gjoja me mua, pasi një gjë të tillë ia kishte kërkuar Indriti atij dhe mua. Dua të them që më kishte telefonuar Indriti duke më kërcënuar dhe duke me thënë që duhet të pajtohesha me G. Këtij të fundit i kam thënë që nuk pajtohem me ty, por do të kthehem në Shqipëri. Pas dy ditësh më ka telefonuar prapë Indriti dhe më ka thënë që do të kthehet në Shqipëri. Unë nga kjo telefonatë e Indritit mbeta e habitur me fjalët e tij. Kujtohem që për dy orë unë kam marrë familjen time në telefon dhe kam komunikuar me mamanë time. Nga mami mora vesh që motra ime kishte qenë në Durrës dhe kishte kërcënuar Indritin, që unë të kthehesha në Shqipëri. Të nesërmën e telefonatës që bëra me mamanë, më mori sërish Indriti dhe më ka thënë të bëhesha gati, pasi do të vinte G, të më merrte dhe të më çonte tek stacioni i trenit në Milano.
Në Bari na ndaloi policia dhe më kërkoi dokumente identifikimi. Unë u thashë që jam shqiptare dhe doja të kthehesha në Shqipëri. Policia më orientoi të shkoja në konsullatë e të nxirrja një certifikatë personale.
Pas kthimit në Durrës, një person G.S. më mori dhe më çoi tek Indrit Taullai, tek zdrukthëtaria në Durrës. Që këtu me Indritin dhe Gëzimin shkuam në një hotel që gjendej pasi kalon zdrukthtarinë.
Pas dy-tre ditësh që kisha ardhur nga Italia, Indrit Taullai i telefonoi Endrit Dokles për të më çuar në shtëpinë time në Tiranë, pasi unë nuk e dija… Në shtëpi gjeta familjarët e mi të cilët ishin të merakosur për shkak se kisha kohë që që isha e larguar prej tyre. Ata kërkuan nga unë qe t’u tregoja ku dhe me kë kisha qenë në Itali, por unë nuk u tregova, pasi vazhdoja të isha e kërcënuar prej Indritit dhe shokëve të tij”.
Sipas organit të akuzës, deklarimet e bëra gjatë hetimit nga Valbona J. janë plotësisht të mbështetura jo vetëm nga deklarimet e bëra nga i pandehuri Adriatik Coli, por mbështeten nga deklarimet e dëshmitarëve G.J, F.J, N.Domi, nga letërporosia e ardhur nga Autoriteti Gjyqësor Italian, si dhe nga dëshmitarë e prova të tjera shkresore.

© Panorama.al

Te lidhura