Unaza 22 kilometra e Fierit, hapet tenderi 75 milionë euro

Apr 20, 2011 | 11:05

Është hapur dje nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim tenderi për projektimin, ndërtimin dhe shërbimet për bypass-in e Fierit.Në detaje nga ana e BERZH-it bëhet e ditur se projekti do të kushtojë 75 milionë euro, nga të cilat 60 milionë do të financohen prej saj, ndërsa pjesa tjetër do të jetë financim i Banës Europiane të Investimeve. Mënyra se si do të shpenzohen këto para do të vëzhgohet nga BERZH, e cila thekson se nuk duhet të ndryshohet orientimi i këtij financimi për ndonjë shërbim tjetër përveç ndërtimit të këtij projekti. BERZH shpjegon se ndërtimi i bypass-it të Fierit është një nga veprat më të rëndësishme dhe gjatësia e kësaj vepre do të jetë 22 kilometra. “Puna civile që njoftohet në tender lidhet me ndërtimin e 22 kilometrave rrugë të bypass-it mes qytetit të Fierit dhe Levanit, duke lidhur seksionin e rrugës Lushnjë-Fier në Veri dhe seksionet Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë në Jug të Shqipërisë, që aktualisht është nën ndërtim”, thuhet në njoftimin e BERZH-it. Tenderët për veprat e mësipërme, sipas Bankës, pritet që të zhvillohen në tremujorin e tretë të këtij viti. Ndërtimi i këtij bypass-i do të financohet nga kredia e këtyre dy bankave të rëndësishme dhe specifikohet se do t’u nënshtrohet rregullave të prokurimit të BERZH-it, të cilat janë vendosur në maj të vitit 2009. Firmat nga çdo vend mund të marrin pjesë për të shprehur interesin e tyre për këtë tender, i cili pritet që të mbyllet në prill të vitit të ardhshëm. Shpesh ky bypass është lakuar për rëndësinë dhe deri vonë ajo që ka qenë problem ka qenë gjetja e financimeve. Tashmë me kredinë e siguruar nga BERZH-i dhe nga Banka Europiane për Investime, duket se këtij projektimi i mbetet vetëm zhvillimi i procedurave. Kostoja totale prej 75 milionë eurosh përfshin edhe detyrimet e taksave, siç është TVSH-ja, për këtë vepër. Pa këto detyrime, llogaritja paraprake që është hedhur nga zërat zyrtarë kohë më parë ishte rreth 55 milionë euro. Bypass-i i Fierit, për vetë seksionet e rrugëve që do të lidhë, konsiderohet i rëndësishëm. Një prej seksioneve të rrugëve që do të bashkohet nga ky bypass është ai Levan-Vlorë, ku aktualisht janë duke u kryer punime dhe që pritet të përfundojnë një maj të këtij viti, ndërkohë që në punime është edhe seksioni i rrugës Levan-Tepelenë.
Disa javë më parë, Ministria e Transporteve deklaroi se 13 kilometrat e parë të kësaj rrugë do të hapen para sezonit turistik, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi, ndërsa në tetor pritet që të përfundojnë punimet për rrugën Damës-Tepelenë, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivaçit. Me përfundimin e këtyre rrugëve, e vetmja vepër që mbetet për t’u ndërtuar është ajo e bypass-it për të cilën tashmë është hapur edhe tenderi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura