Oficeri i Policisë Mihal Velço që mbeti i dhunuar gjatë natës nga disa persona në qytetin e Sarandës ka treguar se si ndodhi ngjarja.
Në një reagim për News24, Velço ka rrefyer se në momentin e ngjarjes ishte duke lëvizur me motor, kur ka dëgjuar një grup të rinjsh që po bënin zhurmë në rrugë. Për shkak të orës së vonë, ai u ka kërkuar të ulnin zërin dhe të mos shqetësonin banorët.
Sipas oficerit, pas kësaj kërkese, të rinjtë kanë reaguar me fyerje dhe kanosje. Më pas, pasi ka zbritur nga motori për t’u sqaruar me ta, situata ka përshkallëzuar dhe ka përfunduar me dhunë fizike ndaj tij.
Pas ngjarjes, Policia ka nisur kontrolle në zona të ndryshme të Sarandës për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Forca të shumta policie kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur nëse ka persona të arrestuar për ngjarjen.
© Panorama.al












