Atentati ndaj Brian Syzos në Pogradec, arrestohet vëllai i autorit! Në pranga edhe vetë 35-vjeçari që u plagos

Jul 17, 2026 | 12:22

Edison Agolli, vëllai i Nikolla Agolli që plagosi Brian Syzon në qershor në Pogradec, është arrestuar nga policia. Në pranga është vënë edhe 35-vjeçari Brian Syzo që u plagos, por arrestimi i tij u bë për një çështje tjetër.

brian syzo

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ditën e djeshme është kapur 22 vjeçari Edison Agolli, i cili ka qenë bashkë me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë në momentin kur kanë tentuar të vrasin me armë Brian Syzon.

22 vjeçari u shpall në kërkim që në momentin kur ndodhi ngjarja ndërsa u bë i mundur arrestimi i tij nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Korçë.

Mbi 22 vjeçarin rëndon akuza e “vrasjes me paramendim e kryer për interes, hakmarrje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Njëkohësisht krahas ngjarjes së ndodhur në Pogradec, arrestimi i Agollit lidhet edhe me vendosjen e kamerës në afërsi të IEVP Drenovë për të parë lëvizjet e Syzos.

Ndërsa 35 vjeçari Brian Syzo, i plagosur në ngjarjen e Pogradecit, u arrestua pasi gjykata e Apelit ka lënë në fuqi një vendim të shkallës së parë të gjykatës së Pogradecit në vitin 2023, për “prodhim dhe shitje narkotikësh”, ku Syzo do të vuajë dënimin prej 3 vitesh e 4 muaj burg.

 

© Panorama.al

Te lidhura