Gjyqi për dosjen “Sterilizimi”, SPAK kundërshton 23 kërkesat e Beqajt: Janë të pabazuara në ligj! Ish ministri akuzon se iu cenuan të drejtat! Shtyhet seanca

Jul 17, 2026 | 12:11

U zhvillua këtë të premte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës gjyqësore për dosjen “Sterilizimi”, ku i pranishëm ishte edhe ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Seanca e radhës gjyqësore është shtyrë për në muajin shtator.

beqaj spak gjkko

Seanca e sotme u shoqërua me diskutime pasi SPAK kundërshtoi 23 kërkesat e Beqajt, duke i cilësuar si të pabazuara në ligj. Ish ministri, nga ana tjetër, hodhi akuza se i janë cenuar të drejtat dhe se SPAK po përdor pavarësinë e fituar nga reforma për të shkelur të drejtat e të pandehurve.

Prokurori Edvin Kondili argumentoi para gjykatës se pretendime e ish ministrit kanë marrë tashmë përgjigje gjatë fazës hetimore dhe në seancën paraprake.

Sipas SPAK, kërkesa e Beqajt për të shpallur të pavlefshëm njoftimin e akuzës duhet të rrëzohet pasi të gjitha veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak. Lidhur me pretendimin e Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, SPAK theksoi se i pandehuri nuk po paraqet kërkesa, por thjesht po bën pyetje që do të sqarohen gjatë konkluzioneve përfundimtare të palëve.

Sa i përket mungesës së kontratës origjinale të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, prokurorët pranuan se mosgjetja e saj përbën shkelje, por theksuan se është gjetur kopja e njësuar në FSDKSH, e cila mbetet një provë plotësisht e vlefshme. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme mbrojti vlefshmërinë e të dhënave të përfituara nga kontrolli elektronik i kompjuterave.

Nga ana tjetër, ish-ministri ka këmbëngulur se prokurorët kanë kryer shkelje të rënda procedurale dhe po ia bëjnë të pamundur mbrojtjen. Ai hodhi akuza mbi mënyrën se si funksionon SPAK pas reformimit të sistemit të drejtësisë.

“Organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve mi ka cenuar hapur të drejtat e mia. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen. Me sa kuptoj, prokurorët kanë fituar pavarësinë ndaj drejtuesit të prokurorisë, por këtë pavarësi e përdorin sot për të shkelur të drejtat procedurale dhe bëjnë çfarë të duan pas Reformës në Drejtësi”, deklaroi Beqaj në sallën e gjyqit.

Beqaj argumentoi gjithashtu se kallëzimi ndaj tij duhej të ishte refuzuar që në krye të herës pasi bazohej mbi pyetje dhe jo mbi fakte të prera. Ai vuri në dyshim edhe certifikimin e laboratorit forenzik të SPAK, duke i kërkuar gjykatës të urdhërojë prokurorinë të vërtetojë nëse pajisjet e përdorura për ekzaminimin e kompjuterave janë të certifikuara sipas standardeve.

Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues vendosi të mos japë një vendim të menjëhershëm lidhur me kërkesat e paraqitura. Seanca e radhës u caktua për më 11 shtator, datë kur gjykata do të shprehet edhe për kërkesat e ish ministrit.

© Panorama.al

Te lidhura