TIRANE – Një person i dënuar me 18 vjet burg për veprën penale të përdhunimit, ka përfituar anulimin e vendimeve të dhëna nga gjykatat ndaj tij dhe të drejtën e rigjykimit. Vendimi është dhënë nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë, e cila ka vendosur të pranojë ankimin e bërë nga shtetasi Mark Pali, i cili ka paditur vendimet e gjykatave; të Kurbinit, Apelit të Tiranës dhe Gjykatës së Lartë, që lanë në fuqi dënimin e dhënë ndaj tij me 18 vjet burg. Sipas Kushtetueses, me vendimin nr.136, datë 21 shtator 2006 të Gjykatës së Kurbinit, ka deklaruar fajtor shtetasin Mark Pali për veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të mitur më shumë se një herë”, duke i shkaktuar fëmijës dëmtime për shëndetin. Kjo vepër penale për shtetasin Mark Pali, është dënuar me 18 vjet burgim, duke filluar nga dita e ndalimit 02.11.2005. Ndërkohë, me vendimin nr. 108, datë 15.02.2008, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Më pas, kërkuesi ka paraqitur rekurs kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, por pa nënshkrimin e mbrojtësit. Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 36 datë 15.01.2010, ka vendosur mospranimin e rekursit, për shkak se rekursi i kërkuesit nuk përmban nënshkrimin e mbrojtësit, sipas nenit 435/2 të Kodit të Procedurës Penale (KPC). Në padinë e tij në Kushtetuese, i dënuari ka pretenduar se Gjykata e Rrethit dhe ajo e Apelit nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të qartësuar faktet objekt gjykimi. Sipas padisë, akti i ekspertimit mjeko-ligjor nuk është marrë si pjesë e provave në mbështetje të dënimit, ku konkludohet se tek e dëmtuara nuk shfaqen shenja dhune. Në padi ai shprehet më tej se vendimi i gjykatave është dhënë pa pritur kryerjen e aktit të ekspertimit biologjik me analizën e ADN-së.











