
TIRANE – Prokuroria turke ka konfirmuar se së shpejti do të dërgojë në Tiranë predhën e gjetur në trupin e Aleks Nikës, njërit prej katër personave të vrarë në demonstratën e 21 janarit. Lajmi është pohuar dje nga burime të Prokurorisë shqiptare, e cila prej mëse një muaji ka kërkuar dorëzimin e predhës në fjalë, me qëllim kryerjen e ekspertizës për përcaktimin e armës që ka kryer qitjen. Predha mbahet e bllokuar nga Prokuroria turke, e cila formalisht ka hapur një hetim, pasi ka marrë njoftim për vdekjen e Aleks Nikës në një spital të këtij vendi. Demonstruesi nga Lezha gjeti vdekjen dy javë pasi u qëllua me plumb më 21 janar, teksa ndodhej mes godinës së Kuvendit dhe Kryeministrisë, gjatë demonstratës. Ai qëndroi një javë në koma në spitalet shqiptare dhe më pas u dërgua për mjekim në Turqi, ku nuk arriti të mbijetojë. Dy javë pas 21 janarit, Aleks Nika gjeti vdekjen dhe pas ndarjes nga jeta autoritetet turke nxorën predhën e armës nga trupi i tij. Predha u bllokua formalisht në Turqi, pas njoftimit për vdekjen e të riut në spital. Ndërkohë, pala turke ka njoftuar se menjëherë pas konfirmimit për vrasjen e Nikës në Shqipëri, dosja e hapur atje do të mbyllet dhe menjëherë predha mund t’i dorëzohet palës shqiptare. Prokuroria e Tiranës, gjatë ekspertizave, ka provuar se vrasja e Ziver Veizit është kryer nga arma e gardistit Agim Llupo, ndërkohë që për tri viktimat tjera, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, nuk ka ende asnjë rezultat, pasi predhat nuk janë në dispozicion të hetuesve dhe armët e Gardës nuk përputhen. Deri tani prokuroria ka sekuestruar 75 armë automatike model MP-5 pranë Gardës së Republikës si dhe një sasi prej 60 pistoletash.











