KRUJE – Një shtyllë e tensionit të lartë, e linjës që furnizon me energji fabrikën e çimentos në Krujë, është dëmtuar dje nga një shpërthim i një sasie eksplozivi. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites së djeshme, në segmentin e linjës 220 kilovolt L13 Koman-Elbasan, në shtyllën numër 43, pranë fshatit Borizanë. Lajmi u konfirmua nga burimet policore të Krujës, si edhe nga burime pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të këmbëve mbështetëse të shtyllës, por pa e rrëzuar atë. Ndërkohë, dëmtimi i përkohshëm i linjës nuk ka prekur banorët e zonës. Kjo pasi kjo linjë shërbente për të furnizuar me energji fabrikën e çimentos dhe nuk kishte lidhje me furnizimin në zonën ku ndodhej. “Për riparimin e këtij defekti do të punohet gjatë natës, për riparimin në kohën më të shpejtë të mundshme, ndërkohë që nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike të zonës ose në ndonjë zonë tjetër”, pohoi dje një burim zyrtar i OST-së. Pas sinjalizimit nga banorë të zonës, në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë së Krujës, të shoqëruar edhe nga ekspertët e shpërthimeve, të cilët kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale. Policia ka shoqëruar disa banorë të zonës, të cilët janë marrë në pyetje rreth ngjarjes. Behet e ditur se pista kryesore e hetimit të ngjarjes lidhet me konflikte të banorëve të zonës për çështje pronësie. r.n











