
Shpërthim tritoli në banesën e kreut të Tatim-Taksave në Pogradec. Ngjarja që ndodhi rreth orës 23:30 të së shtunës në Lagjen Nr.1, shkaktoi dëme materiale, por fatmirësisht nuk pati viktima e as të lënduar.Policia tha se lënda eksplozive kishte pasur si objektiv banesën e familjes Syzo. Mësohet se në momentin e shpërthimit, në banesë ndodhej vetëm e zonja e shtëpisë, Rajmonda Syzo, me detyrë drejtoreshë e Tatim-Taksave në këtë qytet. Ndërsa bashkëshorti i saj, Vasfi Syzo, i cili gjatë kësaj periudhe elektorale është në krye të shtabit të PS-së në Pogradec, si dhe djali i tyre, nuk janë ndodhur në banesë. Si pasojë e këtij shpërthimi, janë dëmtuar xhamat e apartamentit që ndodhet në katin e parë, si dhe xhama të pallatit deri në katin e tretë të tij. Është dëmtuar edhe një furre buke përballë banesës, ndërsa banorët janë përfshirë në panik. “Dëmtimi me tritol ndodhi në banesën e 56-vjeçarit Vasfi Syzo. Ngjarja ka si pistë kryesore një konflikt që djali i kësaj familjeje ka pasur më parë me persona të tjerë”, bëri të ditur policia e Korçës. Policia shtoi se djali i familjes Syzo ka si precedent penal plagosjen e një personi në Pogradec, dhe se kjo mund të jetë shkaku i atentatit me eksploziv në shtëpinë e tij. Ndërkaq, vënia e eksplozivit është konsideruar si politike nga kryefamiljari, por edhe forca politike e PS-së në të cilën ai është angazhuar në fushatë elektorale. Vasfi Syzo, me detyrë punonjës i urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit, është angazhuar kohët e fundit në fushatën e kreut të bashkisë Artan Shkëmbi. Sipas tij, vendosja e eksplozivit poshtë dritares së banesës kishte si qëllim kërcënimin dhe ka lidhje me fushatën politike.
Versioni i policisë për ngjarjen është një hakmarrje e mundshme për konfliktet që ka pasur djali i familjes Syzo. Mësohet se ai ka plagosur një person nga ky qytet rreth një vit më parë. “Konflikti që ka pasur djali, ka ndodhur rreth një vit më parë. Ne e kemi zgjidhur këtë konflikt”, u shpreh Vasfi Syzo. Sipas tij, shpërthimi lidhet me fushatën elektorale dhe mbështetjen që ai po i jep kryebashkiakut Shkëmbi. Policia ende nuk e ka përcaktuar sasinë e lëndës shpërthyese. Blutë janë duke hetuar ngjarjen, për të identifikuar dhe arrestuar autorët e saj.
Kryebashkiaku Shkëmbi, akuzë LSI
Për ngjarjen reagoi edhe kryetari aktual i Bashkisë Artan Shkëmbi. Sipas tij, shpërthimi është një incident politik që synon të kryhet nga militantët e LSI në Pogradec. “Militantët e LSI e filluan tensionimin e fushatës me shkrimin e parullave kundër meje dhe po e vazhdojnë me shpërthime tritoli ndaj aktivistëve të Partisë Socialiste”, tha Shkëmbi. Pas kësaj deklarate, reagoi edhe dega e LSI. Kreu i saj, Shyqyri Buzo, mohoi akuzat e ngritura në drejtim të degës lokale të LSI. Sipas tij, militantët apo aktivistët e saj nuk kanë dorë në vendosjen e tritolit në apartamentin e punonjësit të bashkisë, që është përfshirë edhe në fushatën elektorale të kryebashkiakut Shkëmbi.
LSI: Sfond politik incidenteve banale
Ngjarja e Pogradecit solli reagimin e sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama. “Në lidhje me atë çfarë ndodhi në Pogradec, u bëj thirrje autoriteteve shtetërore dhe prokurorisë të hetojë, por ndërkaq i ftoj që të marrin në pyetje vetë z.Shkëmbi dhe ai të dëshmojë në rrugë shtetërore e ligjore gjithçka di dhe gjithçka e lidh me personat në fjalë e incidentin e shkaktuar prej tyre”, thuhej në deklaratën e LSI. “Jam këtu, të theksoj në emër të LSI faktin që këto përpjekje, tendencat e shfaqura në vijimësi nga Edi Rama dhe të tjerë zëdhënës të dëshpëruar të tij për të instrumentalizuar politikisht incidentet banale, janë në thelb shprehja më e qartë dhe treguesi më konkret i frikës prej humbjes që i pret në zgjedhjet e 8 majit”.
POGRADEC/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











