Trafik vaji kanabisi e kokaine, pranga në port 20-vjeçarit

Apr 26, 2011 | 10:59

DURRES – Një 20-vjeçar nga Tirana është prangosur rreth orës 02.00 të mëngjesit të së hënës, në pikën e kalimit kufitar të Portit të Durrësit, ndërsa po tentonte të kalonte lëndë narkotike drejt Italisë. Gjithçka është konstatuar nga efektivat e Antidrogës, të cilët në bashkëpunim me policinë kufitare kanë bërë të mundur sekuestrimin e një sasie vaji kanabisi e kokaine, si dhe arrestimin e 20-vjeçarit. Në një deklarim për mediat, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës ka bërë të ditur se është vënë në pranga Kristian Malindi, 20 vjeç, banues në Tiranë. I riu është arrestuar, pasi në mjetin me të cilin po udhëtonte drejt shtetit fqinj, tip “Audi” A4, me targa të huaja, është gjetur lënda narkotike. Pikërisht në pjesën e motorit u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 1.5 kg, lëndë e dyshuar si vaj kanabisi dhe 9.2 gramë, lëndë e dyshuar si narkotike, e llojit kokainë. Sipas bluve, lënda narkotike është kapur pas një kontrolli rutinë që po kryente Antidroga e qytetit bregdetar dhe policia kufitare. Lënda narkotike ishte e futur në një enë plastike dhe ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit pranë motorit. Gjithmonë sipas burimeve zyrtare, mësohet se 20-vjeçari, i cili tashmë ndodhet në ambientet e komisariatit të Durrësit, synonte të trafikonte drejt Italisë këtë sasi lënde narkotike. Ndaj të riut, i cili nuk rezulton me precedentë penalë, rëndon akuza e “trafikimit të lëndës narkotike”, ndërkohë që po punohet për gjetjen e origjinës së drogës së sekuestruar, si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.                     l.m

© Panorama.al

Te lidhura