Presidenti i Republikës shprehu shqetësim për fushatën zgjedhore dhe ditën e votimit, në 8 maj.Për Presidentin, në këto zgjedhje po shkohet pa shumë alternativa, ndërsa në vend të tyre po vihet re retorikë dhe garë mes simboleve partiake. “Në këto zgjedhje kemi shumë subjekte elektorale, disa parti të reja, por krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, për shkak të sistemit të ri zgjedhor, kemi rënie drastike të kandidatëve të pavarur apo alternativave lokale politike. 8 maji nuk është garë midis simboleve, sloganeve, militantëve apo shefave të tyre, partitë dhe kandidatët janë në garë, në radhë të parë për të jetësuar sistemin konkurrues demokratik, për të ofruar alternativa zhvillimi dhe modele shërbimi ndaj qytetarëve”, u shpreh Topi. Duke parë sërish rrezikun e bllokimit të procesit të administrimit të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës u kërkoi dy partive politike të mos përfitojnë nga monopoli dypartiak që i jep Kodi Zgjedhor. “Bazuar në këtë interes publik, i ftoj partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli bipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin ligjor e teknik; të mos i shfrytëzojnë numrat e shumicës në komisione të niveleve të ndryshme për të cenuar sadopak klimën zgjedhore, barazinë apo integritetin e zgjedhjeve, dhe së fundi, por më me rëndësi, të dëshmojnë maturi e vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në formë konsensuale, të kërkojnë e të gjejnë pika afrimi për të kapërcyer çdo boshllëk apo nen të interpretueshëm zgjedhor, duke dalë kështu mbi interesat e momentit dhe në shërbim real të qytetarëve”, u shpreh presidenti Topi.
Kreu i shtetit shprehu shqetësime edhe në lidhje me pjesëmarrjen e ulët të grave në listat e kandidatëve, cilësisë së përfaqësimit dhe tregtimin e votës. “Po me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit. Informacionet për premtime në shkëmbim të votës, tregtim të votës, presioneve administrative për votë partiake apo forma të tjera abuzimi me votën, megjithëse sporadike, nëse jetësohen, përbëjnë akte ta padenja dhe të papranueshme”, tha Topi. Këto shqetësime kreu i shtetit i bëri publike gjatë një takimi që pati me përfaqësues nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë dhe ambasadorëve te Shteteve të Bashkuara, ambasadorit të Komisionit Europian dhe atij të prezencës së OSBE-së. Presidenti i republikës ftoi partitë politike që t’i largohen sa më shumë praktikave të gabuara të së kaluarës zgjedhore, si praktika bllokuese me komisionerët.
Etore Sekui: Hyrja në BE, garantoni të drejtën e pronës
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, kërkoi dje nga klasa politike në vend plotësimin e standardeve për të marrë anëtarësimin e plotë. Në tryezën e Lëvizjes Europiane në Shqipëri, për impaktin e liberalizimit të vizave, Sekui vlerësoi se heqja e vizave ishte një hap i rëndësishëm, por për t’u bërë pjesë e BE-së, duhet që të kryhen reformat e kërkuara. Ai theksoi se pjesë e integrimit është edhe garantimi i të drejtës së pronës, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë të drejtat në vendin e tyre. Ai tha se raporti i KE-së për lëvizjen e lirë do të publikohet në qershor, ndërsa shprehu besimin se ky dokument do të jetë pozitiv.
Volfarth: Votoni, edhe pse janë pak gra kandidate
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, u bëri thirrje dje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në zgjedhje, duke bërë kështu detyrën kryesore të qytetarit. Ai e lëshoi këtë deklaratë gjatë një takimi me Platformën Kombëtare të Grave, në kuadër të projektit të OSBE-së, për fuqizimin e grave në jetën politike e publike. “Ne e dimë që disa nga ju janë edhe kandidate, por dimë gjithashtu se detyra kryesore e qytetarëve është që të shkojnë ditën e votimit dhe të hedhin votën e tyre”, theksoi Volfarth. Ambasadori i OSBE-së vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të grave si vëzhguese dhe shtoi se OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë rritjen e pjesëmarrjes së grave në qeverisje dhe në jetën publike nëpërmjet projekteve të tilla, siç është ai i Platformës Kombëtare të Grave, që u mbështet edhe nga Holanda dhe Suedia.
Nishani, Policisë: Garantoni zgjedhjet
Takimin e parë në detyrën ku është rikthyer si ministër i Brendshëm, Bujar Nishani e zhvilloi dje me drejtuesit e Policisë së Tiranës, ku përveç vlerësimeve për masat e marra në fushatën elektorale, u kërkoi punonjësve të Policisë që të garantojnë procesin zgjedhor. Ministri i Brendshëm u bëri thirrje uniformave blu se, “duhet të garantojmë nivelin më të lartë të rendit dhe sigurisë e njëkohësisht respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve shqiptarë gjatë procesit zgjedhor”. Nishani vlerësoi trajnimet e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit për procesin zgjedhor në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, OSBE, PAMECA dhe ICITAP. “Keni bërë një punë të shkëlqyer në këtë aspekt. Jam informuar se përgjegjësitë në lidhje me legjislacionin janë konkrete për çdo punonjës të policisë. Objektivat janë të qarta dhe transparente. Duhet të arrini standardet e kërkuara në interes të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ministri Nishani. Ai u bëri thirrje punonjësve të Policisë, nga drejtuesi më i lartë e deri te punonjësi më i thjeshtë, që ta perceptojnë detyrën dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











