
Presidenti Bamir Topi kërkoi dje që t’u jepet fund debateve rreth replikave me Kryeparlamentaren Topalli. “Nuk duhet të merremi me thashetheme”, tha Topi, i pyetur rreth replikave që kreu i shtetit ka shkëmbyer këto ditë me kryetaren e parlamentit. Presidenti apeloi që politika të punojë me qëllim përmbushjen me seriozitet të 12 pikave të BE. “Presidenti ka filluar një veprimtari intensive që i takon javës dhe ju siguroj që gjatë javës do të kem një axhendë shumë të ngarkuar, e cila vijon nga detyrimet institucionale të Presidentit, por edhe në vijim të asaj agjende integruese për Shqipërinë, të cilën besoj se duhen ta kenë të gjitha institucionet. Të gjithë së bashku duhet të punojmë me shumë përkushtim për këtë axhendë për t’iu përgjigjur, secili në institucionin e tij, por edhe të gjithë së bashku asaj që ka thënë edhe Komisioni i Bashkimit Europian. Besoj se edhe ju do t’i kontribuoni kësaj klime”, u shpreh kreu i shtetit. Presidenti i Republikës ishte dje në qytetin e Kuçovës, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të bustit të prof. Stanisllav Zuber, inxhinierit polak të gjeologjisë, që me përkushtim të veçantë punoi për nxjerrjen e naftës dhe gazit në zonat përreth Kuçovës.
Në këtë ceremoni, ku krahas drejtuesve lokalë ishin të pranishëm ministri i Kulturës dhe i Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë, Bogdan Zdrojevski, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ambasadorja e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzinska, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, këshilltarë bashkiakë, intelektualë e banorë të tjerë të qytetit.
Reagimet nga Shkodra
Por reagimet ndaj deklaratave të Presidentit Topi kanë vazhduar edhe dje nga qytetarë të Shkodrës. Fillimisht kanë qenë aktorët e trupës së teatrit “Migjeni”, të cilët nëpërmjet një deklarate për mediat janë shprehur se “reagojnë ndaj atyre që hedhin baltë mbi gegnishten, mbi gegnishtet e Mjedës, Fishtës, Koliqit, Migjenit, Krajës e të gjithë krijuesve shkodranë, të cilët janë shprehur e vazhdojnë të shprehen me këtë dialekt. Gegnishtja është ajo që bashkon e jo ajo që ndan”. Po dje kanë reaguar edhe disa nga personalitetet sportive që u dekoruan dy ditë më parë nga Presidenti i Republikës. Dy ish-sportistët, legjenda e portës shkodrane Paulin Ndoja dhe trajneri i boksit Zef Gjoni, të dekoruar pikërisht nga Presidenti Topi dy ditë më parë me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Boksit, Zef Gjoni, u shpreh se “Ajo që na ndodhi në Shkodër, ka qenë një pabesi e Presidentit. Madje, ne këtë mesazh e kemi marrë nga kontaktet me telefon edhe të kolegëve tanë që u dekoruan mbrëmjen e së shtunës”. Vazhdën e reagimeve ndaj Presidentit Topi e kanë përkrahur edhe një grup të rinjsh nga qyteti i Shkodrës, të cilët kanë reaguar pranë monumentit të At Gjergj Fishtës, nëpërmjet këndimit të këngës popullore qytetare shkodrane, si dhe të disa parullave në të cilën shkruheshin pasazhe nga veprat e Fishtës, Pashko Vasës etj.
Replikat Topi-Topalli, Sequi: Gjuha ime e preferuar, ajo e bashkimit
Në replikat mes Presidentit Bamir Topi dhe Kryeparlamentares Jozefina Topalli, konkretisht ato për gjuhën shqipe, kanë ndërhyrë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi, u shpreh dje se gjuha më e këndshme për veshin e njeriut është gjuha e bashkimit. “Një nga motot e BE është të jemi të bashkuar në diversitetin tonë, të ndryshëm, por të bashkuar. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi gjuhë të ndryshme, por ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Nëse më pyesni se cila është gjuha që unë kam më qejf, unë do përgjigjem thjesht, gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit”, iu përgjigj gazetarëve Sequi nga Shkodra, ku ndodhej për një vizitë në qendrën e informimit të BE në Shkodër. Ambasadori theksoi se BE do të ndihmojë, por politika duhet të mbajë përgjegjësi për vendin. “Europa është këtu për t’ju ndihmuar, por integrimi në BE duhet të jetë një prioritet kombëtar i Shqipërisë”. Më tej, ambasadori komentoi dhe rreth raport-progresit të BE për Shqipërinë, ku deklaroi se në muajin dhjetor do të diskutohet në BE për ecurinë e Shqipërisë në periudhën tetor 2010-shtator 2011. Ambasadori kërkoi që në kohën në vijim duhet të punohet shumë që të merren sinjale pozitive që vendi ka ecur shumë për zbatimin e rekomandimeve të BE. “Në dhjetor, shtetet anëtare të BE do të diskutojnë raportin e progresit për një periudhë që mbulon tetorin e 2010-s deri në shtator të 2011-s. Në rast se në këtë periudhë do të vihen re ecuri lidhur me 12 prioritetet e vendosura nga BE, atëherë ato do të merren parasysh nga Këshilli i Europës. Reforma zgjedhore është vetëm një nga 12 prioritetet”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë.
Kuçovë/ Dilaver Xhelili











