Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka pritur sot në një takim, kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jasim Mohamad Al-Karafi. Presidenti Topi i tha Al-Karafit se “shteti shqiptar është i angazhuar seriozisht për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve tona”, duke nënvizuar “rëndësinë e një dialogu dhe komunikimi të vazhdueshëm mes strukturave të ndryshme institucionale për gjetjen e mundësive dhe hapësirave të reja të bashkëveprimit, sidomos atij ekonomik, të investimeve në infrastrukturë dhe në segmente të tjera me interes të përbashkët.”
Jasim Al-Karafi theksoi vazhdimësinë e mbështetjes së Kuvajtit, edhe në kuadër të Fondit Kuvajtjan për Zhvillim, për projektet në vendin tonë në fushën e arsimit, turizmit, mundësinë e vendosjes së një linje ajrore direkte, si dhe në fushën infrastrukturore, sidomos për realizimin e suksesshëm dhe me seriozitet të projektit për qendrën e Tiranës.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona dhe theksuan se shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta do t’i shërbente forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të tyre.
© Panorama.al











