TIRANË- Presidenti Bamir Topi priti sot në një takim Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Duke vlerësuar si shumë të rëndësishem sistemin gjyqësor me institucione profesionale, të paanshme dhe të konsoliduara në pavarësinë e tyre, larg influencave politike, Topi theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes gjykatave.
Topi shprehu vullnetin dhe angazhimin institucional që, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona në shërbim të zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve shumë të mira midis institucioneve të drejtësisë të shtetit shqiptar dhe atyre të shtetit të Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua rëndësia e hartimit dhe realizimit të projekteve konkrete të gjykatave kushtetuese të të dy vendeve të konkretizuara përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.
Dy ditë më parë u nënshkrua në Tiranë një marrëveshje me qëllim shkëmbimin e përvojave pozitive dhe forcimin e bashkëpunimit reciprok në gjyqësor si dhe intensifikimin e të gjitha raporteve institucionale mes dy vendeve tona.
© Panorama.al











