Topi kthen ‘Akcizat’: Diskriminon biznesin vendas

Apr 13, 2011 | 14:09

TIRANË- Presidenti i vendit i ka kthyer mbrapsh Kuvendit ligjin  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Mosdekretimin e këtij ligji dhe domosdoshmërinë për rishqyrtim edhe njëherë nga ana e deputetëve, Topi e ka motivuar me ndryshimet dhe shtesat që i janë bërë ligjit, që sipas tij, diskriminojnë biznesin vendas dhe bien ndesh me marrëveshjen e së Stabilizim – Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare.

 

Më poshte mund të lexoni të plotë motivimin e Presidentit për mosdekretimin e ligjit

 

Të nderuar deputetë,

 

Kuvendi i Shqipërisë, më datë 23 mars ka miratuar ligjin nr. 10 404, datë 24.03.2011 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8976, datë 12.12.2002 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 85, paragrafi 1 të Kushtetutës, më lejoni t’iu bëj me dije se kam vendosur të mos e shpall, por, ta kthej edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend.

 

Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet kryesisht me ndryshimin dhe shtesat që i bëhen nenit 24 të ligjit ekzistues “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe shtojcës bashkëlidhur këtij ligji.

 

Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me ligji nr. 9590, datë 27.7.2006 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare”. Konkretisht, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit ndër të tjera parashikon se “që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë”. Në vetvete ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës.

 

Sipas gjykimit tim, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjell një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas. Me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, vendi ynë ka marrë përsipër jo vetëm angazhimin për rritjen e lirive politike e ekonomike që janë bazat themelore të kësaj marrëveshjeje, por edhe angazhimin ndaj parimeve të ekonomisë së tregut të lirë.

 

Të nderuar deputetë,

 

Sipas vlerësimit tim, ndryshimet e shpejta në ligjin e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimit e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt.

 

Ligje të këtij karakteri janë ligje me pasoja të ndjeshme, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e një klime, të favorshme apo jo, për zhvillimin dhe nxitjen e ekonomisë së tregut. Ky ligj, përveçse shton koston e prodhimit të industrisë vendase, mund të sjell dhe një tjetër efekt negativ në lidhje me të punësuarit pranë kësaj industrie, e cila mund t’iu shkaktoj këtyre të fundit, humbjen e vendit të punës.

 

Duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe rolin tuaj si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kthimin për rishqyrtim të ligjit, duhet ta vlerësoni si një mundësi në drejtim të përmirësimit të këtij akti, duke iu përmbajtur kornizës kushtetuese, ligjeve në fuqi dhe parimeve të lirisë ekonomike.

© Panorama.al

Te lidhura