TIRANË- Debat në vend të gjuhës së vrazhdë dhe projekte madhore, në vend të premtimeve të castit. Ky është apeli i radhës i kreut të shtetit, Bamir Topi drejtuar politikës në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke kërkuar prej saj sjellje qytetare dhe ballafaqim idesh. “Politikanët duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Jo dhunë por debat pasi njeriu i qytetëruar bën debat, punon me projekte dhe i ballafaqon ato. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur koha për projekte madhore” tha Topi.
Deklarata është bërë në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të cilët kanë marrë pjesë në rrëzimin e simboleve të komunizmit, në të cilën kreu i hstetit u ndal edhe në fushatën zgjedhore.
Sipas Topit, zgjedhjet janë për qytetarët dhe qytetari duhet ta ndihej se këtu mbyllet një etapë dhe fillon një tjetër. “Politikanët nuk na kanë në dorë jetën por kanë detyrimin të na administrojnë taksat” tha ai.
Pjese nga fjala e presidentit
Sinqerisht, jemi në momente shumë të rëndësishme, kur vërtet njeriu ndonjëherë ndihet i paorientuar, kur debatet e vogla, pa substancë, ngrihen dhe dominojnë të gjithë qenien tonë, të gjithë ambientin familjar, ambientin shoqëror. Unë do të dëshiroja që, edhe nga ky mjedis, të cilin ju siguroj që e vlerësoj shumë, duke ju njohur personalisht, duke qenë pothuajse i informuar për të gjitha linjat jetësore të gjithësecilit, dhe nga ky buron vlerësimi për ju, secili në pozicionin e tij, por, sikurse thashë të gjithë së bashku, për të rritur standardet e demokracisë! Është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve. Është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë. Por, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin. 8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor.
Partitë demokratike, sipas rregullit në demokraci, të futen në garë, të respektojnë rregullat, të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndjen që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që, ata që kanë marrë votën e qytetarit t’i shërbejnë qytetarit. Dhe ky shërbim nuk është falas, sepse qytetari është i mbushur me dhjetëra taksa. Pra, nuk është se politikanët na kanë në dorë jetën ne të gjithëve, si qytetarë. Jo, kanë detyrimin për ta administruar taksën, sepse kështu është rregulli i demokracisë. Secili jep taksat, pranon një administrim të caktuar, një vizion politik, dhe pastaj kërkon llogari. Pra, thirrja është vërtet e rëndësishme për të gjithë ata që sot marrin pjesë në një garë elektorale dhe aq më shumë për ata që do të zgjidhen, qoftë në krye të komunave, të bashkive, por sidomos nëpër këshillat bashkiakë.
Sepse kemi qenë dëshmitarë se si këshillat bashkiakë, në mjaft raste janë bllokuar, për kapriçio, një telefonatë që vjen nga diku: ‘Shiko, mos merr pjesë ti atje’! Ndërkohë që bllokohen procedura, bllokohet zhvillimi i qytetit dhe pastaj rikthehemi. Dhe ndoshta ke të drejtë në këtë pikë, sepse sot Unaza e Tiranës është me vendimin e Kryeministrit të fundit të qeverisë komuniste, të Adil Çarçanit. Ke një të drejtë! Pra, që të mos hyjmë në situata të tilla, duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo, dhunë, por debat! Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore.
Dhe projektet madhore i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëz me vizion. Prandaj, kjo është e arsyeshme që, edhe nisur nga predispozita të tilla, ne kemi nevojë që, edhe ju të jeni të pranishëm, pikërisht për t’i kërkuar politikës këtë. Edhe propozime të tjera, që janë shumë të arsyeshme, sikurse i paraqitëm. Gjithsesi, unë padashur që t’i jap një natyrë tjetër, por më shumë, i nxitur pozitivisht nga ato propozime, unë mora fjalën dhe në fakt, kjo fjalë shkon, në pjesën më të madhe për të vlerësuar të gjithë përkushtimin tuaj, karrierën tuaj, karrierën e njerëzve të thjeshtë, por që sot kanë lënë një emër të madh.
© Panorama.al











