
Presidenti Bamir Topi ka bërë apel që fushata elektorale dhe ditët pas zgjedhjeve të jenë të qeta dhe pa tensione. Kreu i Shtetit vizitoi dje Kishën Ortodokse dhe Katolike me rastin e Festës së Pashkëve. I pyetur nga mediat nëse ka nevojë për një rritje besimi edhe në politikë, Topi u përgjigj: “Besoj që ata që vijnë dhe shprehen sikurse po shprehem edhe unë këtu, gjërat duhet t’i kenë seriozisht që kur shprehen për rindërtim shpirtëror, në radhë të parë, domethënë një rindërtim të dy vlerave morale, që së pari ka të bëjë me ata që e bëjnë politikën dhe që e përcjellin këtë në shoqëri. Të gjithë bashkë kemi nevojë që këtë fushatë, e cila për fat të keq është shoqëruar edhe me incidente, në fazën përmbyllëse, duke iu referuar kësaj dite të madhe, ta mbyllim në mënyrë të qetë dhe ta përcjellim edhe ditën e zgjedhjeve, por edhe administrimin e zgjedhjeve, me shumë besim tek Zoti në radhë të parë, por edhe tek njëri-tjetri.” Duke u ndalur në Festën e Pashkëve, Topi tha se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve. “Dëshiroj t’u uroj atyre Festën e Pashkëve, këtë ditë e cila vjen në koincidencë me këtë stinë shumë të bukur, që presupozon jo vetëm rindërtimin fizik, por edhe shpirtëror! Kështu që, urime të gjithëve! Besoj që kjo është një festë dhe unë këtë e bëj vazhdimisht, nuk mendoj se e teproj, këto festa janë për të gjithë shqiptarët, sepse ndjeshmëria është e tillë që ne i festojmë festat e njëri-tjetrit dhe ka një rritje të besimit tek të gjithë, sepse Zoti është një. Urime edhe juve! I uroj të gjithë dhe besoj që Pashkët sivjet vijnë në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike shqiptare!”
Urimi
“Uroj që kjo ditë të na bëjë të gjithëve bashkë për të menduar vetëm për gjëra të mira, sikurse predikon edhe feja. Është një arritje e jashtëzakonshme e ditëve të demokracisë që ne vijmë e gëzojmë së bashku me besimtarët dhe aspirojmë për një të ardhme europiane, e cila realisht është e projektuar dhe mbetet për t’u realizuar”, u shpreh Topi, pas vizitës në Kishën Katolike.











