Kreu i Shtetit, Bamir Topi, mbron tezën e tij për zgjedhjen e Presidentit nga populli, por shton se nuk do ta ndërmarrë vetë iniciativën për të ndryshuar Kushtetutën. Në një intervistë për “Klan Kosova”, ai flet edhe për zgjedhjet e 8 majit dhe të ardhmen e tij politike.
Qëndrimi juaj pardje në konferencën për shtyp ishte ndoshta për herë të parë i shprehur publikisht se nuk ndiheni komod që të zgjidheni edhe një herë President me formulat 71 plus ose 70+1?
Jo nuk jam shprehur në këtë mënyrë. Ju e perifrazoni, por unë do jua them se në ç’kontekst është thënë.
Unë e kuptova që do të ishte mirë që dhe Presidenti të zgjidhej me votën direkt. Kjo nënkuptohet…
Është një element i përmirësuar i standardit të demokracisë. Pra t’i themi gjërat hapur. Këtu ka pasur disa ndryshime kushtetuese, që janë realizuar në prillin e vitit 2008 në bashkëpunim midis partive politike dhe asgjë këtu nuk konsiderohet jolegjitime. Është një ndryshim legjitim, sepse ka ardhur mbi bazën e një numri të domosdoshëm kushtetues për të ndryshuar Kushtetutën. Çështja e zgjedhjes së Presidentit, nëse do të jetë në opsionin në një mazhorancë të thjeshtë, e cila kuptohet që është politike, apo do të jetë në popull. Unë personalisht, preferoj standardin më të lartë të demokracisë, të zgjedhjes direkte nga populli.
Arsyen? Për arsye se nuk ndiheni komod me këtë 70+1?
Absolutisht, kjo nuk ka të bëjë me mua.
Ju e thatë publikisht se nuk ka të bëjë me Bamir Topin…
Sigurisht nuk ka të bëjë me mua. Bamir Topi është në detyrën e tij, duke marrë pëlqimin e Parlamentit në një vendim të vitit 2007 dhe do ta realizojë këtë detyrë deri në ditën që do të jetë në këtë zyrë. Çështja nuk shtrohet në sens personal. Këtu diskutojmë për çështje të një karakteri parimor në një zgjedhje relative. Të dyja janë legjitime: edhe zgjedhja nga Parlamenti, edhe zgjedhja nga populli. Në preferencat e mia, duke iu referuar standardeve më të larta të demokracisë, do të mendoja se zgjedhja nga populli do të ishte zgjedhje relative më e mirë. Pse? Mund të artikuloj arsyen. Në një kohë kur partitë politike tentojnë që ta ekstremizojnë debatin politik, edhe populli, natyrisht ata që janë më shumë atraktivë ndaj politikës, shkon edhe diferencon edhe pozicionin e vet që nuk është e mirë në një shoqëri. Partitë kanë dimensionin e tyre, kanë politikat e tyre, por, në fund fare, askush nuk duhet të dalë kundër kohezionit social të popullit. Besoj kjo është detyra e Presidentit, i cili është sipas Kushtetutës, simboli i unitetit të popullit. Fakti që ka këtë emërtim në Kushtetutë, i jep të gjitha shpjegimet racionale që Presidenti do të jetë shumë mirë të zgjidhet nga populli. Jo domosdoshmërisht! Mund të ketë ndryshim të Kushtetutës apo të kompetencave që e rregullojnë punën e Presidentit. Kompetencat Presidenti i ka, çështja është e një suporti që askush mos të paragjykojë, nëse ky President do të jetë partiak apo do të jetë simbol i unitetit.
A do të konkurronit edhe një herë si President me një formulë, e cila ju ka zgjedhur President herën e kaluar?
Nuk mund të shprehem sot për asgjë, për gjëra që i takojnë një perspektive. Një perspektive, e cila vlerësohet jo thjesht në distancë kohore, sepse ka njerëz vizionarë të cilët bëjnë parashikime shumë të rëndësishme. Unë dëshiroj të jem shumë i qartë në momentet e vendimmarrjes sime. Vërtet vendimmarrja duhet të projektohet në një kohë të arsyeshme, por sa kohë jam në këtë pozicion, të jeni të bindur se nuk do të ketë asnjë lloj shpalosje të një projekti që ka të bëjë me periudhën mbas mbarimit të mandatit tim si President i Republikës.
A keni, po themi kurajon, për arsye se ndoshta ju merret si personale kjo, që t’i hyni ndryshimeve kushtetuese dhe që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli?
Unë personalisht, jo!
Domethënë duhet të merren vesh partitë politike?
Jo, sepse kam vlerësuar rolin e partive politike parlamentare, të cilat mund ta realizojnë këtë aksion mbi bazën e vullneteve politike në mënyrë më të thjeshtë. Ka dhe metoda të tjera, por, gjithsesi, unë personalisht nuk do të përfshihem në një proces të tillë.
Lëkura juaj prej Presidenti si është ndierë në këtë situatë për 21 janarin, kur dikush ju trajton si të tyrin dhe tjetra është hezituese t’ju përkrah?
Po them një shprehje të vjetër që ndoshta nuk i shkon elegancës së këtij komunikimi. Është një shprehje e vjetër që thotë “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”! Çështja është se çdo institucion duhet të ketë koshiencën për të qëndruar në pozicionin e tij, mbi bazën e asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Kjo është shumë e rëndësishme. Ju e keni vënë re që sa të ndjeshëm ose sa të ndjeshme janë partitë politike, në rast se ka dyshime për devijim nga Kushtetuta. Për të tjerët edhe për këtë institucion, që do të thotë që partitë politike, në momentet që zgjidhet Presidenti, nuk duhet të shkojnë më me paragjykime për këtë intitucion. Duhet të dinë të respektojnë institucionin. Këtu është çështje e një konsolidimi në funksion të kohës së institucioneve tona. Respekti për institucionin nuk është thjesht respekti për individin. Është respekti për atë që ne kërkojmë të ndërtojmë dhe arti i komunikimit institucional është një art, të cilin e kemi parë të realizohet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, pra kërkohet civilizim, kërkohet mjaft qytetari, kërkohet elegancë në komunikimin institucional.
Nuk e di, ndoshta ju nuk e keni për obligim të përgjigjeni, por, megjithatë, viktimat e “21 janarit” janë viktima të gjuhës, sesa plumbave.
Unë besoj se konfliktualiteti politik, debati dhe retorika e ashpër, sharjet reciproke sollën një acarim të jashtëzakonshëm që precepitoi në dhunë edhe në Shqipërinë e kohëve moderne, Shqipëria është vend i NATO-s, me një aspiratë të qartë që të shkojë drejt Bashkimit Evropian, çdo shenjë dhune është e papranueshme, nga cilado anë të vijë.
“8 maji” është sfida ndoshta e shqiptarëve ndaj Evropës, ndaj vetvetes pse jo edhe ndaj Ligjit dhe Kushtetutës. Ju personalisht, duke kontaktuar me ambasadorët ndërkombëtarë, a e keni analizuar ndonjëherë se çfarë e zgjidh problemin shqiptar; zgjedhjet e jashtëzakonshme apo zgjedhje të rregullta dhe 8 maji a është realisht ballafaqimi i politikave administrative apo i atyre politikave që prej dy vjet e gjysmë jemi mësuar t’i dëgjojmë publikisht?
Unë kam një eksperiencë relativisht të gjatë politike. Kam atë eksperiencën tashmë pas gati katër vitesh në zyrën e Presidentit. Besoj se nuk ka gjuhë më të qartë institucionale apo ligjore apo kushtetuese kur vjen nëpërmjet dekretit të Presidentit. Unë kam dekretuar zgjedhjet e datës 8 maj. Ky ka qenë obligim kushtetues, por edhe moral i Presidentit, i cili jo vetëm ka fiksuar formalisht datën, por ka bërë të gjitha apelet për politikën dhe për qytetarët.
Pse kjo pala tjetër, ish-bashkëpartiakja tuaj, në një moment jeni luhatur nga kjo datë.
Në mënyrën më absolute, jo! Unë nuk dëshiroj të bëhem pjesë e thashethemnajës, që i fut institucionet në rrethe vicioze. Unë jam transparent dhe në mënyrën më absolute, shumë konstant. Atë që unë e kam thënë vazhdimisht, e kam thënë të shtrirë në kohë, me të njëjtin zë, natyrisht kjo nuk lejon askënd të hamendësojë. Edhe sot, para se unë të vija në këtë intervistë me ju, kam dhënë apele në një Konferencë për Qeverisjen Vendore të mbështetur nga USAID-i dhe kam qenë shumë i qartë, që të futem edhe në kontekstin e përgjigjes për pyetjen që ju sapo bëtë: në se do të jenë politike apo administrative. Shqipëria, shoqëria shqiptare ka nevojë të ndajë në mënyrë të qartë fizionominë e zgjedhjeve. Pra, zgjedhjet politike zhvillohen një herë në katër vjet, zgjedhjet për pushtetin lokal apo zgjedhjet administrative zhvillohen një herë në katër vjet. Pra, çdo dy vjet ne kemi alternim të zgjedhjeve politike me zgjedhjet administrative, dhe kurrsesi nuk mund të jetë e njëjta gjuhë. Tendenca për ta përgjithësuar dhe për të përdorur një terminologji të përgjithshme politike edhe në zgjedhjet e pushtetit vendor, është tendenca për t’iu larguar projekteve për qytetarin. Kam qenë gjithmonë i qartë për këtë çështje, e kam shprehur sot dhe do të vazhdoj ta shpreh. Partitë politike vërtetë kanë një “background” politik të projekteve të tyre, por projektet janë për qytetarin. Kam përdorur sot një shembull që është dhe mbetet një pikë shumë e fortë referimi, për të demonstruar se çfarë të bën politika. Politika të bën vepra të mëdha dhe shumë të mëdha, por politika ndonjëherë të kthehet në pengesë të jashtëzakonshme. Projekti i “Unazës së Madhe” të Tiranës, i miratuar në vitin 1989 nga qeveria e Adil Çarçanit, është një referencë arkaike për shumë arsye. Po bëhen, sa vite po bëhen? Po bëhen 22 vite. Është e papranueshme që në 22 vjet, kur Tirana është shumëfishuar, kur Tirana ka me qindra-mijëra pallate të reja, ka me qindra-mijëra makina. Nuk ke një rrugë të re, pse? Sepse ka mbetur peng i politikës. Këtë segment e bëj unë, këtë e bën ti, jo! Minimalisht kërkohet një …
“Fairplay” për qytetarin?
…bashkëpunim, jo për interesat e këtij kolltuku. Kolltuku është i përkohshëm. Në rrugë do të kalojë si qytetari i majtë, si i djathtë. Si ai që është indiferent, si ai që është armik i politikës. Ka njerëz që nuk dëshirojnë ta shohin politikën. Por si konsumator, si qytetar, si njeri që do të lëvizësh në mënyrë komode, si njeri që nuk do që të bllokohesh në trafik, si njeri që kërkon të thithësh ajrin më të pastër, patjetër kërkohet që veprat infrastrukturore, minimalisht të kenë predispozicionin e të gjitha palëve për të thënë ‘po, ky projekt është për ne të gjithë’. Pra ky është mesazhi: Duhet ndarë qartë politika e përgjithshme nga politika për qytetarët!
Ndoshta do të kem fatin që do të jem në ditët e fundit të Presidencës ose të mandatit tuaj, që ta kem dhe një intervistë. Cila do të jetë realisht e ardhmja politike e Bamir Topit?
Meqenëse unë s’ju kam vënë asnjë lloj kushti për frekuencën e intervistave, sigurisht jeni i mirëpritur që të realizoni intervistë, atëherë kurdo e gjykoni dhe në momentin që unë mund të shprehem, do t’jua jap edhe variantin për perspektivën e karrierës, e cila mund të jetë karrierë politike, mund të jetë jashtë politikës, por do jua them në momentin e duhur, sepse tani jam i angazhuar vetëm me detyrimet e mia institucionale si President i Republikës.
Më falni që thashë pyetja e fundit, por keni obligim ndaj atyre votuesve, të cilët realisht ju rendisin shumë lart?
Besoj, se ne në përgjithësi jo vetëm në Shqipëri, ndodh që kur fillon një profesion i ri, dhe unë do ta konsideroja përtej angazhimit tim akademik – një nostalgji tashmë, e cila nuk rikthehet dhe të bëhet reale, – patjetër për të vazhduar një lloj vazhdimësie dhe koherence me interesat, besoj që politika do të jetë profesioni ku unë do të jem i angazhuar.
BATON HAXHIU
© Panorama.al











