TIRANE – Ish-kryetari i komunës së Prezës dërgohet në gjykatë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve me pasojë tjetërsimin e pronësisë së tokave në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Ramazan Garipi, ish-kryetar i komunës Prezë, së bashku me shtetasit Haki Axha dhe Sadik Zela, akuzohen nga prokuroria se kanë kryer veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” gjatë vitit 2008. Hetimi ndaj tre të pandehurve ka filluar pas denoncimeve për falsifikime në komunë dhe, për pasojë, tjetërsimin e tokave në këtë zonë. Burime të Prokurorisë së Tiranës thanë se pas hetimeve disamujore, dosja penale ndaj ish-kreut të komunës Prezë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Sipas prokurorisë, ish-kryekomunari Ramazan Garipi dyshohet se ka tjetërsuar 10 dynymë tokë në komunën e drejtuar prej tij. Krimi është denoncuar nga të zotët e tokës që bënë kallëzime në Policinë e Shtetit, e cila më pas dërgoi në prokurori dosjen penale. Të paktën pesë familje denoncuan në polici se shtetas të tjerë u kishin pushtuar tokën, ndërkohë që ata kishin dokumente autentike. Hetimet e mëpasshme gjetën se kreu i komunës kishte firmosur dokumente false ku tokën në fjalë e hidhte në emër të personave të tjerë duke ua hequr pronarëve të ligjshëm. Gjatë hetimeve të saj prokuroria ka sekuestruar të gjitha dokumentet mbi pronat në fjalë, ndërkohë që ka marrë në pyetje edhe të zotët e tokës. Ballafaqimi i dokumenteve ka nxjerrë në pah falsifikimin dhe tjetërsimin e pronave në komunën e Prezës dhe më pas prokuroria ka ngritur akuzë ndaj ish-kryekomunarit.











