NGA BRENTON KOTORRI 
Këtë të enjte, më 6 nëntor 2025, deputetët e Parlamentit të Shqipërisë kanë rrezik të votojnë një ligj mbi “barazinë gjinore”, nën titullin e të cilit fshihet një atentat ndaj rendit shoqëror në Shqipëri. Ligji, që në pamje të parë ngjan si hap emancipues, në thelb është një instrument ideologjik që synon të riformatojë raportet ndërmjet shtetit, individit dhe familjes shqiptare. A është ky një ekzagjerim? Aspak. Sepse, nën fjalë të bukura, por boshe si “përfshirje” dhe “ndjeshmëri”, ky projekt synon të imponojë një antropologji të re, një mënyrë të detyruar të të menduarit dhe për vetë natyrën e njeriut. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh barazinë si parim formal, jo si uniformitet ideologjik. Megjithatë, neni 10 i projektligjit thotë: “Institucionet publike, mediat dhe subjektet që ofrojnë shërbime publike janë të detyruara të përdorin gjuhë me ndjeshmëri gjinore në të gjitha komunikimet, dokumentet dhe publikimet e tyre”. Ky është momenti kur shteti kalon nga garant i lirisë në rregullator të gjuhës. Fjala e lirë bëhet fjalor i miratuar nga ideologjia LGBTQI+.
Etërit e filozofisë mbi Republikën na mësojnë se asnjë pushtet, sado i sofistikuar të jetë, nuk mund të diktojë mënyrën si njeriu shpreh botën e tij të brendshme pa rrënuar themelet e republikës pluraliste. Ky detyrim bie ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Gjuha nuk është pronë e shtetit as e OJQ-ve me donatorë agjendash; është pronë e ndërgjegjes, e kulturës, e jetës shpirtërore të një kombi! E kur shteti fillon ta formatojë, shoqëria humbet lirinë dhe identitetin. Ky është versioni postmodern i asaj që dikur quhej planifikim ideologjik: zëvendësimi i natyrës njerëzore me ekuacionin politik. Akoma më i rrezikshëm është neni 3, pika 3, ku thuhet se “Në rastet e pretendimeve për diskriminim, barra e provës i kalon të paditurit, i cili duhet të vërtetojë se nuk ka ushtruar diskriminim”. Ky është një revolucion juridik që zhvlerëson parimin e pafajësisë.
Me këtë logjikë, çdo qytetar, sipërmarrës apo gazetar, mund të akuzohet për diskriminim dhe të mbajë mbi vete detyrimin për të provuar të kundërtën. Kështu, parimi kushtetues i procesit të rregullt ligjor (neni 42) dhe ai i prezumimit të pafajësisë (neni 30) kthehen në zbukurime teorike. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi dyshimin për fajësi; ajo mbijeton vetëm mbi provën dhe arsyen, përndryshe jetojmë në fashizëm. Në mënyrë të ngjashme, nenet 11 dhe 12 kërkojnë që çdo akt qeveritar, projektligj apo buxhet të përmbajë “vlerësim të ndikimit gjinor”. Ky detyrim burokratik është, në fakt, një filtër ideologjik që vendos një parakusht për çdo vendim publik. Pra nuk mjafton që një politikë të jetë e drejtë apo efektive; ajo duhet të jetë “gjinorësisht e pranueshme”. Kështu, politika humbet karakterin e saj racional dhe kthehet në ritual konformiteti. Kushtetuta jonë nuk njeh asnjë detyrim për “vlerësim gjinor”, por njeh proporcionalitetin dhe neutralitetin shtetëror. Kur shteti nis të gjykojë politikat jo sipas së mirës së përbashkët, por sipas harmonisë ideologjike me ylber, republika humbet balancën dhe bëhet vegël imponimi. Mbështetësit e ligjit do të thonë se këto masa ndihmojnë “barazinë”. Por barazia reale nuk lind nga imponimi, as nga ligjet që e rregullojnë mënyrën si mendojmë e flasim, por nga respekti për dinjitetin e njeriut.
Liria e brendshme e njeriut e dhënë nga Zoti, nuk mund të zëvendësohet me rregulla të emotivizmit të një grupimi. Shteti që kërkon të hyjë në mendjet, në fjalët dhe në marrëdhëniet tona intime, humbet karakterin e vet neutral dhe bëhet një aktor moralizues, i zhveshur nga dinjiteti kushtetues. Kjo është antiteza e shqiptarit historik. Deputetët që e votojnë këtë ligj mund të fitojnë përkohësisht pëlqimin e kryeministrit, por do të kenë koston e urrejtjes së një populli. Sepse ky ligj nuk është shenjë emancipimi, por shenjë arrogance; nuk është përpjekje për drejtësi, por përkulje ndaj një mode që nuk lind nga jeta shqiptare. Bumerangu i këtij vendimi do t’u kthehet një ditë tek fëmijët e tyre, në një shoqëri ku fjala, morali dhe ligji do të jenë tashmë të kolonizuara nga ideologjia. Dhe atëherë, as kuotat, as raportet gjinore, as “vlerësimet e ndikimit” nuk do të kenë më kuptim, sepse do të jetë humbur vetë njeriu që duhej mbrojtur.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











