
Një sasi eksplozivi shpërtheu rreth orës 01:50 pas mesnatës së diel në derën e apartamentit të kandidatit të Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, Erion Koka.Eksplozivi, sipas Policisë, dyshohet se ka qenë në masën 50 gramë dhe ishte vendosur në sheshpushimin e katit të katërt të apartamentit parafabrikat pranë shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, disa metra larg Komisariatit Nr.2. Shpërthimi, përveç disa dëmeve materiale, nuk ka lënduar asnjë prej gjashtë anëtarëve të familjes Koka, të cilët ndodheshin duke fjetur kur ndodhi ngjarja. Shpërthimi është shoqëruar me panik dhe tronditje për dy djemtë e mitur të kandidatit socialist. Jo zyrtarisht, nisur edhe nga deklarimet e inxhinierit 32-vjeçar, Erion Koka, që kandidon për herë të parë për kryetar minibashkie, policia thotë se dyshimet kryesore janë se shpërthimi ka ndodhur për motive politike. Nga verifikimet e kryera prej grupit hetimor, pyetja e familjarëve dhe personave të njohur të Kokës, rezulton se ai nuk ka pasur asnjëherë konflikte personale që mund të arrinin deri në vënie eksplozivi. Këqyrja e vendit të ngjarjes është kryer nga forcat e Komisariatit Nr.2, ekspertë Antieksploziv, Xhenier dhe oficerë të Krimeve të Rënda. Grupi hetimor ka nisur veprimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe burimet sqarojnë se për kapjen e tyre mund të ndihmojnë kamerat e sigurisë që ndodhen të vendosura përreth shtëpisë së Emiljano Shullazit, i cili ndodhet përballë hyrjes së pallatit. Për këtë arsye, Prokuroria ka lëshuar një urdhër sekuestroje për kamerat e sigurisë në mënyrë që të zbulohen sa më shpejt autorët e ngjarjes.
HETIMI
Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, pyetjes së familjarëve dhe marrjes së deklarimeve nga persona të tjerë të njohur të kandidatit socialist, Erion Koka, grupi hetimor ka ngritur pistat e para. Dyshimet kryesore policia i lidh me motivet politike, por nuk përjashton edhe ato personale. Koka është inxhinier i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, por policia e përjashton faktin që ngjarja mund të ketë lidhje me punën e tij, pasi nuk rezulton që Koka mund të ketë pasur probleme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar një gropë me diametër rreth 15 centimetra, ku, sipas ekspertëve, është vendosur sasia e eksplozivit. Në vendngjarje janë gjetur mbetje plastike, që shpjegon faktin se sasia e tritolit, që dyshohet të jetë rreth 50 gramë, ishte vendosur në një objekt plastik. Policia tha se është gjetur edhe një copë fitili, që, sipas ekspertëve, ishte ndezur me shkrepëse e më pas ka shkaktuar shpërthimin. Vatra e shpërthimit ka qenë me drejtim nga lart poshtë dhe, e penguar edhe nga një pllakë mermeri poshtë derës së apartamentit, nuk ka arritur të shkatërrojë plotësisht derën, pasi fuqia e eksplozivit ka qenë mbi pllakat e korridorit të jashtëm. Burimet thanë se ngjarja ka qenë e organizuar mirë nga autorët, të cilët mund të kenë pritur momentin kur kandidati Koka është kthyer në shtëpi për të vendosur eksplozivin.
INTERVISTA
“Shpërthimi, presion politik për zgjedhjet, s’kam konflikte personale”
TIRANE – Erion Koka, kandidati i Partisë Socialiste për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, nuk ka asnjë dyshim se eksplozivi që shpërtheu në derën e apartamentit të tij është vendosur për motive politike. Ngjarjen që tronditi familjen e tij, prindërit, gruan dhe dy djemtë e mitur, ai e quan një presion politik për kandidimin e tij si kryetar minibashkie në këtë zonë. Ai shpjegon se nuk ka asnjë motiv tjetër dhe asnjë dyshim tjetër, pasi nuk ka pasur konflikte personale dhe as profesionale. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Erion Koka shpjegoi dje dyshimet e tij për ngjarjen.
Si ka ndodhur shpërthimi i eksplozivit në banesën tuaj?
Unë kisha rreth 15 minuta që isha kthyer në shtëpi, pasi gjatë gjithë ditës së diel kam zhvilluar disa takime elektorale, që në fakt ishin shumë të suksesshme dhe rreth orës 01:30 janë kthyer në shtëpi. Pjesëtarët e tjerë të familjes kishin fjetur, prindërit, bashkëshortja e dy djemtë dhe për pak minuta u shtriva edhe unë të pushoj. Për pak sekonda kam ndierë një shpërthim shumë të fuqishëm që tronditi gjithë shtëpinë dhe në këtë moment fëmijët u zgjuan të trembur. Nuk po merrja vesh se çfarë kishte ndodhur dhe kam dalë menjëherë në korridor. Nuk po arrinim të shihnim asgjë, pasi korridori ishte mbushur me tym, pluhur dhe ndienim erën e rëndë të asaj që kishte shpërthyer, që, më vonë, pasi erdhi policia, mësuam se ishte eksploziv. Dera ishte shkatërruar plotësisht dhe ishte hapur. Shqetësohesha më shumë për fëmijët, ata janë të vegjël dhe ende vazhdojnë të jenë të frikësuar nga ajo që ndodhi. Rreth një metër larg nga dera fle djali im i vogël, por për fatin tonë pallati është i ndërtuar me hekur e beton, që nuk ka lejuar depërtimin dhe çarjen e mureve.
Si e shpjegoni këtë që ndodhi, sipas jush, çfarë motivesh ka ky shpërthim?
Pa asnjë dyshim ka të bëjë me kandidimin tim. Është e veshur me motive politik, sepse praktikisht nuk kam pasur dhe nuk kam ndonjë lloj konflikti, qoftë personal dhe qoftë profesional. Unë nuk jam njeri që gjeneroj konfliktet, jam i qetë dhe gjithmonë i jam përkushtuar familjes sime dhe kam kryer punët e mia pa pasur përplasje me askënd. Jam i habitur, madje edhe i tronditur dhe akoma nuk po gjej dot shkaqet e mundshme, pasi as gjatë këtyre ditëve të fushatës nuk kam pasur asnjë debat me palën tjetër që kandidon për Minibashkinë. E vetmja gjë që më shkon në mendje janë motivet politike, kandidimi im. Deri ditën që unë nuk isha kandidat nuk kam pasur kurrë asnjë lloj problemi, as në lagje as në punë dhe asnjë lloj profili të jetës sime.
Ju kishin kërcënuar ndonjëherë më parë, me ndonjë mesazh apo telefonatë?
Asnjëherë. Kurrë nuk më ka ardhur ndonjë mesazh kërcënues apo telefonatë që të më paralajmëronte për diçka. Nuk i kam dhënë mundësinë njeriu që të krijojë konflikte me mua dhe më pas të më kërcënojë. Gjithçka ndodhi papritur, ndaj edhe unë jam habitur për këtë ngjarje.
Alimehmeti: Akt kriminal, të zbardhet
Kandidati demokrat Alimehmeti pati një telefonatë me Erion Kokën ku i ka shprehur solidaritetin njerëzor dhe politik. “Në vijim Alimehmeti i bën thirrje autoriteteve shtetërore që ta shqyrtojnë me përparësi këtë akt me sfond kriminal dhe të nxjerrin përpara drejtësisë autorët. Ky akt kriminal duhet të zbardhet sa më shpejt”, thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të kandidatit të PD-së.
Tritoli në Pogradec, konflikti ishte me djalin e drejtoreshës së Tatim-Taksave
POGRADEC – Zbardhet atentati me tritol në qytetin e Pogradecit. Policia ka zbardhur në kohë rekord ngjarjen dhe arrestuar autorët e saj, duke konfirmuar se nuk bëhej fjalë për detyrën e kryefamiljarit Vasfi Syzo, si kreu i shtabit të kandidatit të PS-së e as për detyrën e gruas së tij si drejtoreshë e Tatimeve. Por, ngjarja që tronditi qytetin mëngjesin e së dielës ka lidhje me një konflikt të djalit të shtëpisë ku u vendos eksplozivi, 20-vjeçarit B.Syzo. Policia bëri të ditur se ka arrestuar shtetasit Dritan Hoxha, Enrik Xhambazi, si dhe Altin Jashllari, moshatarë me Syzon, të tre nga fshati Buçimas i Pogradecit. Ata janë arrestuar nga policia me akuzat e shkatërrimit të pronës me lëndë eksplozive, kanosjes e armëmbajtjes pa leje si dhe për fshehje të krimit. Operacioni për zbulimin dhe arrestimin e tyre u koduar “Tronditja”. Nga hetimet e policisë ka dalë se në banesën e shtëpisë së familjes Syzo është vendosur një kallëp tritoli, në shenjë kërcënimi që një prej të rinjve të arrestuar ka pasur për konfliktin me djalin e familjes. Ky i fundit mësohet nga policia se një vit më parë ka plagosur lehtë një prej autorëve të tritolit. Dyshohet se ky i fundit, së bashku me dy shokët e tij, ka shfrytëzuar një periudhë të fushatës elektorale në të cilën është angazhuar babai i të riut për të mbuluar gjurmët e këtij atentati me eksploziv. Sipas policisë, tashmë ngjarja është zbardhur plotësisht dhe nuk ka dyshime që atentati nuk ka pasur asnjë qëllim politik por vetëm atë për konflikte personale. Nga ana e policisë, gjatë këtij operacioni janë kapur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 kallëpe me tritol, një sasi prej 250 fishekësh, lëndë narkotike etj. g.a
Plagosja policit në Kamzë, i dyti në kërkim
TIRANE – Policia e Komisariatit Nr.5 identifikoi dhe shpalli në kërkim bashkëpunëtorin e plagosjes së policit bashkiak të Kamzës, Rasim Hoxha, mesditën e së dielës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se është bërë shpallja në kërkim policor për 41-vjeçarin nga Paskuqani, me iniciale Xh.S. Ndërsa gjatë orëve të vona, duke gdhirë dita e djeshme, u mor masa e arrestit në flagrancë për militantin socialist Petrit Hoxhën, i cili ishte shoqëruar menjëherë pas incidentit në qendër të Kamzës, për plagosjen e Rasim Hoxhës. Dy autorët e dyshuar të ngjarjes akuzohen për “plagosje” dhe “shkatërrim prone”. Ngjarja për të cilën ata akuzohen ndodhi dy ditë më parë në qendër të Kamzës, kur po përgatitej skena për mitingun e Partisë Socialiste. Militantët e majtë janë konfliktuar me policin bashkiak, Rasim Hoxha, i cili në atë moment ka qenë duke zëvendësuar banderolat e Partisë Demokratike, që ishin dëmtuar gjatë natës, me banderola të reja. Ai është goditur nga dy simpatizantët e PS-së me gurë e shkopinj, duke pësuar dëmtime në trup e në kokë dhe është transportuar në Spitalin Ushtarak. Ndërsa pas plagosjes së tij, militantët socialistë kanë vazhduar të shkatërrojnë makinat me logot e PD-së, një prej tyre edhe makina e të plagosurit Hoxha.
Incidentet elektorale
26 mars 2011
Incidenti i parë që parapriu hapjen e fushatës elektorale ndodhi në komunën Kala e Dodës në Dibër. Ndonëse u cilësua si përplasje për parakalim makine, kandidati i PS, Bajram Himallari akuzoi rivalin e tij të PD-së, Bujar Mahmutaj se nxori armën nga brezi. Vetë Himallarai reagoi me armë, prej së cilës u shkreh një plumb në tokë.
1 prill 2011
Pronari i linjës së autobusëve Tiranë-Dajt, shtetasi Ylli Hidri, 40 vjeç, qëllon me armë shotgan në zonën e Freskut pas një konflikti verbal me kandidatin e Partisë Demokratike në Komunën Dajt, Besim Kuka, 47 vjeç. Shkak u bënë “ironitë” për fushatën elektorale.
2 prill 2011
Plagoset me armë zjarri kandidati për kryetar komune i Balldrenit, Zef Doçi. I zgjedhur nga e djathta, Doçi u qëllua në këmbë nga 27-vjeçari Almarin Marinaj. Ky i fundit deklaroi se ngjarja nuk kishte lidhje me fushatën, por donte të sqaronte një konflikt.
10 prill 2011
Plagosen me sende të forta në Kashar, vëllezërit Fajton Kamberi, 26 vjeç dhe Genci Kamberi, 33 vjeç. Ngjarja kishte si motiv vendosjen e flamujve të PD-së në lokalin e dy vëllezërve dhe tentativën e militantëve të PS-së, për të vendosur flamujt e tyre në këtë zonë. Për ngjarjen u arrestuan shtetasit Luan Sulaj, 32 vjeç, dhe Viktor Sulaj, 27 vjeç. Në kërkim u shpallën Alfred Sula, Ismail Sula, Ramazan Sula e Ndriçim Lleshi.
10 prill 2011
Shtetasi Krenar Baja, 21 vjeç, dëmtoi dy automjete me flamujt e
Partisë Socialiste që po qarkullonin në rrugën kryesore të Bathores. Makinat e dëmtuara i përkisnin shtetasve Elvis Vladi, 20 vjeç dhe Ardian Ali, 26 vjeç, banues në Tapizë. Policia procedoi penalisht për bllokim të rrugës 10 persona. Për këtë ngjarje, kreu i forcave speciale të policisë bëri kallëzim ndaj zv.ministrit të Brendshëm.
12 prill 2011
Plagoset me thikë në njësinë bashkiake nr.5 në Tiranë shtetasi
16-vjeçar Ali Shkëlqim Doçi, banues në Tiranë. Ai u qëllua me armë ndërsa po grumbullohej në një takim elektoral të kryetarit të PS, Edi Rama. Policia arrestoi si autor të ngjarjes, shtetasin Arber Ristani, 21 vjeç.
17 prill 2011
Në banesën e familjes së Vazfi Syzos në Pogradec, kreu i shtabit të PS-së shpërtheu një sasi tritoli. Policia ndaloi dje autorët, sipas së cilës kishin lidhje me një konflikt të djalit të Syzos.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











