TIRANE – Një shtetas kosovar, banues në Gjakovë, është arrestuar nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës, pasi është kapur me 7400 dollarë që dyshohet të jenë të falsifikuar. Arrestimi i 37-vjeçarit Luz Bisaku është kryer mesditën e së premtes, por policia nuk ka preferuar të japë të dhëna për ndalimin e tij deri në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë bashkëpunëtorë të tij në falsifikimin e parave. Burime nga polica thanë se Luz Bisaku kishte mbërritur nga Gjakova në Tiranë mëngjesin e së premtes, me një makinë tip “Opel”, me targë 274 KS 719. Edhe paratë e falsifikuara, sipas hetimeve, rezulton që Bisaku i ka sjellë me vete nga Kosova në Shqipëri, me qëllim këmbimin me valutë të rregullt në Tiranë. Falsifikimi është zbuluar kur ai ka shkuar për të furnizuar makinën në një pikë karburanti pranë “Zogut të Zi”, në kryeqytet. Pasi ka furnizuar makinën me karburant, 37-vjeçari ka paguar me dollarët e falsifikuar dhe punëtori që ka marrë paratë, ka parë që diçka nuk shkonte dhe ka kërkuar ndihmën e kolegut të vet për t’i verifikuar. Nga ana tjetër, është vënë në dijeni edhe Policia e Tiranës. Menjëherë drejt adresës së dhënë nga personi që denoncoi paratë false, janë nisur forca të policisë nga Komisariati Nr. 3 dhe Antikrimi Ekonomiko-Financiar. Gjatë kontrollit në makinën tip “Opel”, të Luz Bisakut janë gjetur disa kartëmonedha të prerjes, 10, 20 dhe 100-dollarëshe, që dyshohet të jenë të falsifikuara.











