Tiranë, Policia, sallë operative online për kamerat

Apr 9, 2011 | 11:21

TIRANE – Drejtoria e Policisë së Tiranës së shpejti do të ketë një sallë operative me sistem online dhe dixhital transmetimi me kamera 24 orë, të ngjashme me sallën e inauguruar disa javë më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ky është një prej objektivave që është në fazë zbatimi dhe sipas zyrtarëve të policisë, do të ndihmojë policinë e kryeqytetit për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe në rastin kur ndodhin zbardhjen e tyre në një kohë rekord. Drejtuesit e Policisë së Tiranës prezantuan dje edhe strategjitë dhe projektet e tjera për muajt në vazhdim, gjatë një takimi me grupet e interesit, për “Implementimin e filozofisë së policimit në komunitet”, për tremujorin e parë të vitit 2011. Fillimisht, drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, analizoi indikatorët e punës për tremujorin e parë të vitit 2011. Sipas analizës rezulton të ketë një rritje me masën 2 për qind të evidentimit të veprave penale kundër trafikut të narkotikeve dhe një ulje të krimeve të rënda në masën 2 për qind. Ndërsa forca zbuluese e këtyre krimeve është rritur me 4 për qind. Nga të dhënat e analizuara del se forca zbuluese e krimeve në fushën e korrupsionit është rritur me masën 5 për qind, si dhe ajo e krimeve kundër pronës me 4 për qind. Ka pësuar rënie edhe vjedhja e makinave, banesave, lokaleve për secilën me masën 2 për qind dhe, nga ana tjetër, forca zbuluese është rritur po me 4 për qind. Në sallën operative janë bërë 5 për qind më shumë telefonata denoncuese, ndërsa kanë pësuar ulje me 4 për qind aksidentet me pasoja të rënda. Sipas drejtorit Muçaj, një nga objektivat më të rëndësishëm të Policisë së Tiranës është identifikimi, zbulimi dhe goditja e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në fushën e narkotikeve dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe bashkëpunimi me institucione të tjera për sensibilizimin dhe parandalimin e drogave. Për këtë aspekt, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të arsimit dhe pushtetit vendor. Policia e Tiranës premton se në çdo rast të nevojshëm patrullat e policisë do të jenë në dispozicion në kontrollit të territoreve pranë shkollave, ashtu siç edhe kanë qenë muajt e kaluar.

© Panorama.al

Te lidhura