Tiranë, Basha: Çmimi i bukës u rrit nga taksat e Bashkisë

Apr 11, 2011 | 10:15
Basha, dje në një dyqan buke në Tiranë

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Lulzim Basha, fajëson Bashkinë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, përfshi këtu edhe bukën.Tirana përballet sot me një rritje abuzive të çmimeve, duke nisur nga ato më jetike për jetën e çdo qytetari. Në shumë raste rritja e çmimeve justifikohet me politikat e Bashkisë lidhur me taksat. Basha e ka konstatuar vetë rritjen e çmimeve të produkteve të përditshme, teksa ka blerë një bukë në një dyqan në Bashkinë e Kamzës dhe një në një dyqan në kryeqytet. Në dy dyqanet, ai vuri re se një bukë me peshë 800 gramë në Kamëz kushtonte 60 lekë të reja, ndërsa në Tiranë 80 lekë. Sipas furrtarit, në kryeqytet buka shitet me 80 lekë për shkak të taksave të vendosura nga bashkia. Nga ana e tij, Basha u premtoi qytetarëve se Bashkia nuk do të qëndrojë indiferente ndaj rritjes së çmimeve. “Sot paradite, isha në Bashkinë e Kamzës. Kam blerë të njëjtën bukë 800 gramë, për 60 lekë. Kjo është buka që kam blerë për 60 lekë dhe kjo është buka që bleva këtu për 80 lekë. Dëfrimi (furrtari) më tha që edhe ai donte të shiste bukën me 60 lekë po të kishte mundësi, por taksat bashkiake këtu janë disa herë më të larta se në bashkitë dhe komunat përreth Tiranës. Bashkia nuk duhet të jetë arsyeja pse tregtarët rrisin çmimet”, u shpreh kandidati i PD-së. Në takimin me qytetarët e kryeqytetit, Basha përsëriti edhe një herë premtimin për heqjen e 60 nga 82 taksat që ka Bashkia e Tiranës dhe uljen e të tjerave. “Ulja e taksave 2 deri në 5 herë, eliminimi i 60 prej taksave dhe tarifave vendore, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në normalizimin e çmimeve, që ka të bëjë direkt me xhepin e të gjithë qytetarëve të Tiranës”, tha Basha. Ai bëri të ditur se në programin e tij, përveç uljes së taksave, parashikohet edhe ngritja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve. “Një arsye e fortë për rritjen e çmimit janë spekulantët. Përballë këtij realiteti, Bashkia nuk mund të rrijë duarkryq. Ndaj, plani im është ngritja e një agjencie bashkiake për mbrojtjen e konsumatorit, e cila do të investigojë, madje hulumtojë tregjet, pikat e shitjes, marketet kudo në Tiranë. Bashkia nuk do të ndërhyjë në mekanizmin e tregut të lirë, por Bashkia nuk do të flejë gjumë, ndërkohë që qytetarët shkundin xhepat e tyre për të blerë produktet më të nevojshme për jetën”, u shpreh Basha. Kandidati për Bashkinë e Tiranës bëri me dije se kontrollet që do të ushtrojë kjo agjenci, do të bëhen publike për qytetarët në mënyrë që edhe ata të njihen me abuzuesit, por edhe me shkaqet që çojnë në rritjen e çmimeve.

Bashkia: Qeveria rriti taksat për bukëpjekësit

Bashkia e Tiranës reagoi dje përmes nënkryetares Albana Dhimitri lidhur me akuzat e Bashës për rritjen e çmimit të bukës për shkak të taksave lokale. “Zoti Basha na dëshmoi dhe një herë se sa herë flet për punët e Bashkisë nuk di ç’thotë! Qytetarët e Tiranës duhet të dinë se nga momenti kur Qeveria e z.Basha rriti taksat mbi bukëpjekësit në të gjithë Shqipërinë, Bashkia e Tiranës i uli taksat lokale për bukëpjekësit në nivelin minimal të lejueshëm, vetëm e vetëm për t’iu gjendur pranë, me aq sa mundet qytetarëve, kur qeveria u ngre çmimet”, tha Dhimitri.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura