Tirana s’bën gol as me portë bosh, Besa mund Bylisin

Apr 2, 2011 | 11:19

Tirana nuk fiton dot në derbi, edhe pse Dinamo gati i hapi portën, Besa mund Bylisin në Kavajë, Shkumbini fiton që nga dhomat e zhveshjes, ndërsa Laçi bën detyrën me Elbasanin. Derbi i vetëm i kryeqytetit në Superiore është shpërfytyruar në pesëmbëdhjetë minutat e fundit të saj. Blutë, të cilët deri në atë moment ishin në kërkim të fitores, duke bërë një ndeshje të ekuilibruar, janë tërhequr dhe kanë lënë hapësira veprimi në mesfushë e në mbrojtje. Dhe tiranasit, edhe duke pasur mungesën e Pejiçit, por dhe përvojën e pakët të të rinjve Morina e Tushe, pavarësisht përpjekjeve pa fund të Hykës e Zizoviç, nuk kanë mundur të shënojnë. Nën zë, lojtarët e të dy palëve kanë pranuar që ka pasur një urdhër për tërheqje e për tolerim të Dinamos. Por bardheblutë kanë ndjerë keqardhje që s’kanë qenë të aftë për të shënuar. Para tyre në renditje, Laçi vazhdoi galopimin e tij drejt vendit të tretë, duke mundur pa shumë vështirësi Elbasanin, tashmë i rënë një kategori më poshtë. Kurbinasit kursyen golat në këtë takim, duke shënuar vetëm në pjesën e dytë, me anë të Vilfor Hysës dhe një me mbrojtësin Kaja. Ndërsa e veçanta, nëse e tillë mund të quhet, ishte fakti se pas shumë ndeshjesh erdhi edhe një gol i Elbasanit, i shënuar nga Endri Dalipi. Me këtë fitore Laçi ka shkuar në kuotën e 43 pikëve, një më pak se Vllaznia, e cila u mund sërish për këtë sezon në fushën e Peqinit.
Shkumbinit i mjaftoi një gol i shënuar nga Shenaj që në minutën e dytë të takimit për të fituar me rezultatin 1-0 dhe për të koleksionuar tri pikë të rëndësishme, duke iu larguar disi zonës së ftohtë të renditjes. Me këtë fitore, Shkumbini parakalon Kastriotin në klasifikim, duke u ngritur në vendin e shtatë me 32 pikë, kurse Vllaznia qëndron e treta me 44 pikë. Ndërsa në Kavajë, Besa është rikthyer te fitorja, teksa ka mundur me rezultatin e ngushtë 2-1 rivalin direkt në luftën për mbijetesë Bylisin, në një ndeshje që ka qenë mjaft tensionuese, jo vetëm brenda fushës së lojës, por edhe jashtë saj. Kartonë, gola, nervozizëm, akuza, gjithçka ka pasur kjo përballje, e cila në fund nxori fitues verdhezinjtë, që tani janë vetëm një pikë larg ballshiotëve.

Presidenti i Bylisit tenton të hyjë me dhunë, ndalohet

Pas përfundimit të ndeshjes Besa-Bylis, presidenti i Bylisit,  Besnik Kapllanaj, ka tentuar që të hyjë me dhunë në dhomat e zhveshjes. I shoqëruar nga vëllai i tij dhe nga persona të tjerë, ai ka kërkuar që të futet në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që policia, për të shmangur një dhunë të mundshme, nuk e ka lejuar. Pas debateve të ashpra me policinë, uniformat blu kanë ndërhyrë duke ndalur ndonjë sherr të mundshëm. Për disa momente, të dy palët janë shtyrë me njëri-tjetrin, duke shkaktuar edhe panik te të pranishmit e tjerë që po dilnin nga dhomat e zhveshjes. Pas kësaj, tifozët e Besës janë afruar tek hyrja e stadiumit, duke ndjekur nga afër konfrontimin e Kapllanajit me policinë dhe kanë protestuar në kor. Si pasoj e kësaj, janë thyer edhe disa xhama në hyrjen e stadiumit. Pas gjithë këtij konfrontimi kanë ndërhyrë forcat speciale dhe kanë shpërndarë tifozët.

Tifozët në kor: “E shitët”

Në pesëmbëdhjetë minutat e fundit, fansat dinamovit e kanë kontestuar ashpër lojën e bluve, që u tërhoqën dhe filluan të lëshonin ndaj Tiranës. Madje ka pasur dhe thirrje ndaj kapitenit të bluve, Pishës, duke e thirrur në emër e duke i kërkuar të mos lëshojë. Jo pak është dëgjuar dhe fjala: “E shitët, e shitët…”! Sidomos në fund të lojës. Gjatë gjithë ndeshjes, edhe duke përfituar nga qëndrimi i presidentit të Skënderbeut, Agim Zeqo në tribunën VIP, së bashku me donatorin Artan Take, kanë kundërshtuar skuadrën korçare. Në tribunën VIP ishin të pranishëm dhe presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, zv/presidenti i bluve, Avni Braçe, si dhe aksionari i bluve, Alban Aliko. Ashtu siç ishin dhe drejtuesit e Tiranës, mungonte vetëm presidentin bardheblu, Refik Halili. Ndërkaq, tifozët dinamovit kanë mbështetur dhe një herë Flamurtarin, duke thirrur “Vlora, Vlora”.

Shaba

Drejtori teknik i Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka shfryrë gjithë inatin e humbjes ndaj arbitrave dhe Federatës, të konsideruar nga ai përgjegjës për këtë humbje. “Komenti im i takon organit të Federatës së Futbollit dhe Kolegjiumit të Arbitrave, që vendosin të tillë arbitra ‘kamikazë’ si Sino, që, për mendimin tim, nuk është i denjë për të gjykuar një ndeshje moshash, e jo në Superiore. Më vjen keq që po e them, po ndeshje të tilla nuk janë aspak të denja për kampionatin tonë, pasi ky gjyqtar ka lejuar gjatë gjithë lojës ndërhyrje të rënda që u bëheshin futbollistëve tanë. Unë, si drejtor klubi, jam i detyruar që të ndryshoj qëndrim, pasi edhe në Shkodër tashmë të gjithë arbitrat do t’i presim me të tilla organizime, pasi edhe ne dimë që të bëjmë presione ndaj tyre, por nuk kemi dashur. Por, kështu siç po shikojmë edhe ne do të përgatitemi për të fituar me dhunë në fushën tonë”, ka pohuar Shaba.

Superiore/ Java 26

Të premten

Shkumbini–Vllaznia            1-0
Shënues: Shenaj 1’
Besa-Bylis                2-1
Shënues: Shtini 19’, Do Santos 34’/ Abazaj 56’
Laçi–Elbasani                3-1
Shënues: Hysa 48’, 52’, Kaja 85’/ E.Dalipi 57’
Dinamo–Tirana                0-0

Sot, ora 16:00
Teuta–Flamurtari
Kastrioti-Skënderbeu

Renditja
Nr. Ekipi        ND    F    B    H    P
1. Flamurtari        25     18     1     6     55
2. Skënderbeu         25     16     4     5     52
3. Vllaznia         26     12     8     6     44
4. Laçi         26     13     4     9     43
5. Tirana         26     9     11     6     38
6. Dinamo        26     10     7     9     37
7. Shkumbini         26     9     5     12     32
8. Kastrioti        25     7     9     9     30
9. Teuta         25     7     7     11     28
10. Bylis        26     8     3     15     27
11. Besa        26     6     8     12     26
12. Elbasani         26     4     3     19     12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura