Pero Pejiç humbet derbin me Dinamon. Kroati i sulmit bardheblu nuk arrin të rikuperohet, kësisoj nuk do të jetë pjesë e formacionit të Tiranës kundër ish-ekipit të tij. Madje, këtë sfidë ai do ta ndjekë nga tribuna, pasi nuk ka asnjë shans riaftësimi. U mendua se sulmuesi shtatlartë e kaloi tërësisht dëmtimin e pësuar para dy javësh, mirëpo ai dy ditë më parë u dëmtua sërish, duke vënë në alarm bardheblutë. Pas kontrollit të kryer nga stafi mjekësor, u konfirmua se lojtari nuk bëhet për këtë takim, me shpresën se mund të rikuperohet për Kupën e Shqipërisë ndaj Besës. Ky është derbi i parë për trajnerin Misho Krstiçeviç, ndaj do ta dëshironte shumë një fitore. Mirëpo, ai e pranon që ka shumë probleme për shkak të mungesave dhe dëmtimeve, gjë që i ka krijuar mjaft dilema për hartimin e formacionit. “Me një rezultat të mirë në këtë sfidë, ne mund të arrijmë vendin e tretë, pasi shpresat për një vend në Evropë janë rikthyer. Në këtë ndeshje kam mjaft probleme, pasi Lila dhe Pejiç mungojnë dhe tre lojtarë nuk i kam në gjendje shumë të mirë, ky fakt më krijon vështirësi në hartimin e formacionit”, përfundoi Krstiçeviç.
Superiore/ Java 26
Sot, ora 16:00
Shkumbini-Vllaznia
Dinamo-Tirana
Besa-Bylis
Laçi-Elbasani
Nesër
Teuta-Flamurtari
Kastrioti-Skënderbeu











