Trajneri Misho Krstiçeviç, gjatë një deklarate të dhënë për mediat, është shprehur se ndonëse nuk e njeh Laçin si ekip, ka dëgjuar për lojtarët e talentuar që ka në përbërje. Një ndër to është edhe Vilfor Hysa, një ish-lojtar bardheblu i larguar vetëm gjatë merkatos së verës drejt Kurbinit. “Nuk e njoh Laçin si ekip, mirëpo kam dëgjuar shumë për të. Di që ka në përbërje lojtarë mjaft të talentuar dhe një ndër ta është edhe Hysa. Kjo është një sfidë tepër e rëndësishme për ne, pasi laçianët janë rivali ynë direkt për vendin e katërt, ndaj një trepikësh do të na bënte realisht punë. Jo se do të arrijmë këtë pozicion, por do të ngushtojmë diferencën e pikëve me ta. Është një takim shumë i vështirë dhe këtë e them duke parë kundërshtarin. Ata janë më të përgatitur për këtë përballje, ndërsa ne vijmë më të lodhur, pasi luajtëm në mesjavë. Këtij fakti realisht i druhem, megjithatë ne do të futemi në fushën e lojës me një synim të qartë, për të fituar”, tha tekniku për sfidën e sotme.











