
Tirana fiton Kupën e Shqipërisë pas 120 minutash lojë dhe gjuajtjeve të penalltive. Vendosin “dorezat” e ish-kapitenit të Dinamos, Ilion Lika.Nuk mjaftoi koha e rregullt por as shtesa për të nxjerrë fituesin e djeshëm të Kupës, por nga pika e bardhë diferencën e bëri portieri i Tiranës, i cili priti tri nga gjashtë gjuajtjet e dinamovitëve. Kjo ishte finalja 12-të në historikun e Kupës së Shqipërisë që u zgjidh pas gjuajtjeve të penalltive: hera e 6-të për Tiranën dhe e treta për Dinamon. Ndërkaq, blutë kaluan në avantazh në minutën e 19-të të takimit, falë golit të shënuar nga serbi Mlladen Bërkiç, i cili shtyu topin me portën thuajse bosh pasimin ideal të Allmuçës brenda zonës. Mesfushori shfrytëzoi një hutim të mbrojtjes bardheblu, që nuk e ndali dot një krosim të gjatë të mbrojtësit Miloviç, duke i dhënë mundësi Allmuçës që të paraqitej i vetëm me portierin Lika. Kapiteni i bluve u tregua altruist, duke preferuar të pasojë për Brkiçin, që e kishte më të lehtë të shënonte. Por Tirana nuk u dorëzua dhe këmbënguli shumë, duke u shpërblyer në minutën e 53-të. Andi Lila, i ardhur në ndihmë të sulmit, fiton një duel ajror me Ferrajn dhe dërgon me kokë një top në qendër të zonës, aty ku Pejiç mes dy mbrojtësve godet saktësisht me të djathtën dhe nuk i lë asnjë shans portierit Hoxha të reagojë. Një nga rastet më të mira të bardhebluve ishte ai i minutës së 33-të, ku mbrojtja dinamovite largoi në vijën fatale një parabolë të Dushkut, që kaloi edhe portierin Hoxha, por ishte ndërhyrja vendimtare e Miloviç që shpëtoi blutë. Gjithsesi, takimi që u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ishte mjaft i ekuilibruar dhe Tirana ka pasur raste shumë të mira për të shënuar, ndërsa Dinamo tentoi të “vrasë” ndeshjen me kundërsulme. Në dy shtesat, skuadrat më shumë se për të shënuar golin e fitores, u munduan që të mos pësonin, pasi një gabim i vogël do të ishte fatal. Kështu, si në 15 minutat e para të shtesës së parë dhe në 15 minutat e dyta u panë disa shpërthime të Hykës dhe Vilës në të dyja krahët, por pa rezultat si për Tiranën, edhe për Dinamon. Ndërkaq, duhet theksuar se Tirana luajti fraksionin e dytë të shtesës me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Tefik Osmani. Ky i fundit shkaktoi një ndërhyrje të gabuar në hyrje të zonës në dëm të Martinenës dhe arbitri nuk ngurroi t’i jepte të kuqen. Por, me të kuqe u largua tri minuta nga fundi edhe Roland Peqini te Dinamo. Ndërkaq, kjo ishte finalja e 22-të për bardheblutë, nga të cilat kanë fituar 14 dhe kanë humbur tetë të tilla. Ndërsa, për Dinamon ishte finalja e 19-të, nga ku kanë fituar 13-të dhe kanë humbur 6-të.
Refik Halili: Realizuam objektivin, Ligën e Europës
Presidenti i Tiranës ka vlerësuar maksimalisht trofeun e fituar nga skuadra e tij pas 120 minutash lojë dhe penalltive, duke e konsideruar atë si një fryt i punës së bërë nga të gjithë gjatë sezonit. “Gjithçka për të cilën u mundua kaq shumë kjo Tiranë gjatë këtij sezoni, u konkretizua në mbrëmjen e sotme (djeshme). Jam i gëzuar që skuadra arriti të fitonte këtë trofe, duke siguruar në këtë mënyrë edhe Kupat e Evropës. Sigurisht që do kishim pasur dëshirë të luftonim deri në fund edhe për titullin, por ju siguroj se këtë gjë do ta bëjmë sezonin e ardhshëm, ku në fushë do shikoni një Tirane të fortë, siç ka edhe emrin”, ka pohuar Halili në përfundim të ndeshjes.
Topi: Fitore e Tiranës dhe e futbollit shqiptar
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pranishëm në finalen e djeshme në Durrës, si dhe ai që në fund i dorëzoi trofeun kapitenit të Tiranës, Andi Lila, nuk ka dalë nga vetura e njeriut të parë të Shqipërisë, duke vlerësuar më shumë futbollin në përgjithësi dhe jo vetëm Tiranën. “Ishte një fitore jo vetëm e Tiranës, por e futbollit në përgjithësi. Besoj se të gjithë në stadium, por edhe ata që e ndoqën nga shtëpitë panë një futboll të pastër dhe kompetitiv. Jam i kënaqur për trofeun e fituar nga Tirana, por absolutisht edhe për lojën e bukur që zhvilloi Dinamo”, pohoi presidenti Topi. Siç dihet, Kreu i Shtetit është një nga tifozët VIP të skuadrës së Tiranës.
Tirana-Dinamo 1-1 (4-3 me pen)
Shënues: Pejiç 52’/ Bërkiç 18′
Penalltitë: Pejiç, gol; Gvozdenoviç, gol; Bala, jashtë; Sina, gol; A.Lila, pret Hoxha; G.Muça, gol; / Vila, gol; Ferraj, pret Lika; Miloviç, pret Lika; Malakarne, gol; Allmuça, gol; Opoku, pret Lika
Kartonë të verdhë: Pejiç, Osmani/ Martinena, Peqini
Kartonë të kuq: Osmani 105’/ Peqini 117′
Gjyqtarë: Lorenc Jemini/ D.Rexha dhe E.Barushi
Tirana: Lika, Gvozdenoviç, Osmani, Dushku, Lila, Zizoviç (Sina 90′), Karabeci (Muça 46′), Lilaj, Hyka, G.Lika (Bala 52′), Pejiç. Trajner: Misho Kërstiçeviç
Dinamo: Hoxha, Malota (Daja 90′), Miloviç, Malakarne, Ferraj, Vila, Allmuça, Opoku, Orelesi, Bërkiç (Peqini 90′), Martinena. Trajner: Artan Mërgjyshi
Fituesit ndër vite
15 trofe – Partizani
(1948, 1949, 1957, 1958, 1961, 1964, 1966, 1968, 1970, 1973, 1980, 1991, 1993, 1997, 2004)
14 trofe – SK Tirana
(1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 2011)
13 trofe – Dinamo
(1950, 1951, 1952, 1953, 1954, 1960, 1971, 1974, 1978, 1982, 1989, 1990, 2003)
6 trofe – Vllaznia (1965, 1972, 1979, 1981, 1987, 2008)
3 trofe – Teuta
(1995, 2000, 2005)
3 trofe – Flamurtari
(1985, 1988, 2009)
2 trofe – KS Besa
(2007, 2010)
2 trofe – Elbasani
(1975, 1992)
1 trofe – Apolonia (1998)
Finalisët humbës
8 herë – Partizani, Flamurtari, Tirana
7 herë – Vllaznia
6 herë – Besa
5 herë – Dinamo, Teuta
3 hera – Lushnja, Skënderbeu
1 herë – Elbasani, Albpetroli, Tomori
Leonard Karaj
© Panorama.al











