Thirrje antiqeveritare në Beograd, mijëra serbë në protesta

Apr 18, 2011 | 11:05

Dhjetëra mijëra serbë kanë protestuar dje në Beograd kundër qeverisë, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Të vlerësuar nga opozita rreth 50 mijë në numër, protestuesit hidhnin parulla kundër Presidentit Boris Tadiç dhe qeverisë serbe. Ndjekësit e opozitës janë frymëzuar nga greva që ka nisur Tomisllav Nikoliç, kryetari i Partisë Radikale serbe. Të dielën në mëngjes Nikoliç doli para turmës duke njoftuar se kishte mbushur 24 orë në grevë urie dhe nuk kishte ndër mend ta ndalte atë, derisa qeveria të shpallte zgjedhje të parakohshme. Zemërimi i serbëve radikalë është rritur pas nisjes së negociatave të reja me Kosovën, për të cilat ata thonë se janë një hap drejt njohjes së pavarësisë së saj. Ndërsa kreu i opozitës vazhdon grevën, sekretari në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, dhe përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Marko Jakshiç, janë shprehur se duan që të marrin fund bisedimet teknike mes dy palëve dhe të nisin negociatat reale për statusin e Kosovës. Çështje të tjera që shqetësojnë serbët, të cilat i janë bashkuar protestës së opozitës, janë dhe ato ekonomike. Gjendja ekonomike është rënduar shumë gjatë kohëve të fundit në Serbi. Ka pasur disa greva me thirrje për paga më të larta që nga janari i këtij viti, ndërsa në muajin shkurt, rreth 70 mijë njerëz morën pjesë në një protestë të madhe antiqeveritare në Beograd. Presidenti Boris Tadiç e ka bërë të qartë se nuk do të shpallen zgjedhje të reja, derisa Serbia të marrë statusin kandidat për në BE, sepse ky ishte synimi kryesor i këtij mandati, i cili, sipas tij, do të përmbushet.

© Panorama.al

Te lidhura