Thethi, perla malore tre vjet pa energji

Mar 25, 2011 | 10:11

SHKODER – Një ndër zonat më të preferuara për turizmin malor, Thethi, prej tri vitesh nuk ka energji elektrike. Kjo ishte problematika më e theksuar që renditi kryetari i komunës Shalë, pjesë e së cilës është edhe zona turistike e Thethit, Dedë Tonaj. Sipas tij, situata është alarmante pasi kjo zonë vuan edhe mungesën e infrastrukturës rrugore. Ky shqetësim i tij u bë në vazhdën e problematikave të evidentuara edhe nga drejtues të tjerë të njësive vendore në një takim pune të zhvilluar nga prefekti i Shkodrës, me qëllim marrjen e masave në prag të fillimit të sezonit turistik. Sipas tyre, mungesa e energjisë, ujit dhe rrugëve i bëjnë këto zona të vështira për t’u shfrytëzuar dhe për të tërhequr vizitorë. “Jemi këtu të gjithë bashkë për të përcaktuar prioritetet tona në sezonin turistik të sivjetshëm. Do të evidentojmë shqetësimet dhe nevojat që duhen plotësuar me qëllim që kur të fillojë sezoni turistik ne të jemi gati”, u shpreh prefekti Maxhid Cungu. Sipas tij, gjatë viteve të fundit i është kushtuar rëndësi e veçantë turizmit në përgjithësi e atij malor në veçanti. “Qeveria shqiptare ka pasur prioritet të saj zhvillimin e turizmit, krijimin e kushteve të favorshme për shtim të numrit të, pushuesve. Kanë qenë të shumta investimet e bëra në zonat turistike, të cilat kanë shërbyer direkt në rritjen e të ardhurave prej turizmit”, tha prefekti Cungu. Ndërkaq, drejtuesit e njësive vendore të zonave malore nuk kanë hezituar të bëjnë publike për të disatën herë shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e kushteve në këto zona. “Edhe pse flitet për turizëm malor dhe shtim turistësh, me ose pa dashje harrohet se Thethi ka 3 vite pa energji elektrike. Si mund të afrosh turistë pa drita? Kemi bërë kërkesa pa fund në të gjitha institucionet, por deri tani asgjë nuk është bërë”, u shpreh kreu i komunës Shalë, ku bën pjesë edhe Thethi, Dedë Tonaj. Ai është ndalur dhe tek infrastruktura rrugore që të çon në fshatin Theth. “Çfarë turizmi mund t’u afrosh pushuesve kur nuk ke rrugë për të shkuar në Theth?! Realiteti është se turistët nisen për të bërë pushime, por u duhet të kthehen pas, pasi nuk kanë rrugë”, u shpreh më tej Tonaj. Probleme ka dhe Razma, një tjetër zonë turistike malore, e cila, sipas kryetarit të kësaj komune, Fredi Sterkaj, prej shumë vitesh vuan mungesën e ujit të pijshëm.                       r.d

© Panorama.al

Te lidhura