Thaçi: Ndërhyrja e NATO-s do të na pajtojë

Mar 25, 2011 | 11:11

Në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, tha se hapi ka qenë i domosdoshëm për të nxitur arritjen e pajtimit historik mes shqiptarëve dhe serbëve sot. “Sot Kosova është vend i lirë, vend i tolerancës etnike, i një perspektive të fqinjësisë së mirë edhe mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për t’i përmbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet njëshekullore që kanë ndodhur në rajonin tonë”, tha Thaçi. Dymbëdhjetë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, Thaçi tha se kjo ndërhyrje “ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi”. Thaçi theksoi se pajtimi shqiptaro-serb duhet të ndodhë pas një konflikti më tepër se njëshekullor. “Dialogu që ka filluar në Bruksel është i nivelit të barabartë, për herë të parë në histori, mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Serbisë”, shtoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura