Thaçi e Pacolli rinegociojnë paktin, AKR shton ministritë

Apr 12, 2011 | 11:23

Marrëveshja mes PDK–së dhe AKR-së për ndarjen e pushtetit po rinegociohet dhe pritet të finalizohet gjatë kësaj jave.Pas humbjes së postit të Presidentit, AKR-ja do të ketë më shumë ministri nën mbikëqyrje për të qëndruar në koalicion. Behgjet Pacolli vazhdon të kërkojë edhe dy ministri dhe tri poste zëvendësministrash. Por Hajredin Kuçi thotë se postet në koalicion do të ndahen në bazë të fuqisë politike. Kryeministri Hashim Thaçi dhe Pacolli po zhvillojnë negociata për të rishikuar marrëveshjen e nënshkruar më herët. Sipas “Express” pas emërimit të Pacollit si zëvendëskryeministër i parë, besohet që Mimoza Kusari–Lila të lirojë postin e zëvendëskryeministres, ndërsa Hajredin Kuçi pritet të jetë përsëri njëri ndër zëvendësit e Thaçit. AKR-ja ka shprehur dëshirën për të marrë Ministrinë e Infrastrukturës ose atë të Arsimit. Ministër, për cilindo nga këto institucione që të arrijë të marrë AKR-ja, do të emërohet Vegim Gashi. Ministri i dytë i ministrive plus që do të marrë AKR-ja, besohet të jetë Ibrahim Makolli. Tashmë ministre, Mimoza Kusari, ka thënë se gjithçka do të qartësohet pas bisedimeve që do të zhvillojnë dy partnerët e koalicionit. “Takime pritet në ditët në vijim. Natyrisht marrëveshja do të rishikohet për shkak se tani ka pasur ndryshime. Presim shtimin e numrit të ministrive për koalicionin ‘Kosova e re’”, tha Kusari-Lila për “Express”. Ajo shtoi se “Ne kërkojmë dy ministri shtesë përveç tri që i mbajmë, në total i bien 5 ministra dhe tetë zëvendësministra”. Zëvendëskryeministri Kuçi beson se do ta mbajë këtë post. “Është Kryeministri duke i zhvilluar bisedat me përfaqësuesit e Koalicionit, në anën tjetër kemi menduar të bëjmë një balancë pas pozitës konsensuale të Presidentit”, tha Kuçi. Aleanca Kosova e Re besohet se ka vënë syrin ministrive që lidhen me ekonominë. Sipas “Koha vizion” AKR-ja pritet t’i kërkojë Hashim Thaçit që t’i tërheqë njerëzit e tij nga dikasteret që kanë të bëjnë me ekonominë për t’ua liruar vendet atyre të AKR-së. Ushtruesi i detyrës së presidentit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se
“Për shkak të programit që ne e kemi, do të fokusohemi në ministritë që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ekonominë”, ka treguar ai kërkesën e partisë së tij. Makolli nuk ka përmendur asnjë nga ministritë që lidhen me ekonominë e me të cilat në qeverinë e Kosovës udhëheq PDK-ja: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës.

2 ministri
të reja ka kërkuar partia e Behgjet Pacollit, përveç tre ministrive të mëparshme, duke e çuar në pesë numrin e ministrive që kërkon për të ruajtur koalicionin

© Panorama.al

Te lidhura