Teuta Backa Çiço: Sëmundjet e kockave, kujdes nga lagështira

Oct 30, 2011 | 13:28

Shefja e klinikës universitare të Reumatologjisë në QSUT pranë spitalit “Nënë Tereza”, Teuta Backa Çiço, shpjegon shkaktarët që favorizojnë sëmundjet e kockave, kategorizimin e tyre sipas grupmoshave, diagnostikimin dhe plot këshilla të nevojshme për një mirëqenie shëndetësore.

Ulja e temperaturave dhe lagështira. Ambientet e mbyllura dhe ato të paajrosura, frekuentimi në masë i të cilave mund të përkthehet në rrezik për shëndetin tuaj, janë vetëm disa prej faktorëve të riskut të sëmundjeve reumatizmale. Shenjat e para shfaqen në qetësi. Dhimbje të lehta artikulare (kyçeve) me karakter inflamator, ngurtësim dhe vështirësi të lëvizjes herët në mëngjes, një ënjtje apo edem e shfaqur në lëkurë, janë disa prej shenjave që duhen vlerësuar nga individët, për t’iu drejtuar mandej një mjeku specialist. Teuta Backa, mjekja me përvojë të gjatë në shëndetësi, njëherësh edhe shefe e klinikës universitare të Reumatologjisë në QSUT, thekson se i duhet kushtuar vëmendje edhe një kolle të thatë apo një dhimbjeje fyti. “Pikërisht, një streptokok i pranishëm në faring (fyt) çon në temperaturë të lartë, në dhimbje të kyçeve e, nëse nuk kurohet në momentin e duhur, mund të çojë deri në dëmtim të organeve të brendshme. Dëmtimi i valvulave të zemrës është një prej këtyre pasojave. Por, ka një kategorizim të sëmundjeve reumatizmale: janë ato inflamatore dhe ato degjeneruese. Në grupin e parë përfshihen reumatizmat akute, që shkaktohen nga prania e streptokokut Beta Hemolitik të grupit A që zakonisht prek moshat e reja, nuk ka ndarje në sekse dhe shfaqet kryesisht në stinën e vjeshtës ose dimrit. Në grupin e dytë, reumatizmat degjeneruese, janë ato që prekin moshat në dekadën e pestë dhe të gjashtë të jetës. Sëmundje të tjera të rëndësishme janë ato të indit lidhor, kolagjenit, apo sklerodermia (trashja e lëkurës), sëmundje që prek organet e trupit, si: zemra, veshka, mushkëria etj. Duhet treguar shumë kujdes sidomos në këtë periudhë stinore, ku ulja e temperaturave është e menjëhershme”, pohon doktoresha.
Me uljen e temperaturave, është praktikë e gabuar mbyllja apo izolimi i ambienteve nga ana e individëve. Sepse lagështira e pranishme përreth, ose mungesa e ajrosjes ndikojnë drejtpërdrejt në sëmundjet e kockave, ndaj nuk është e rastit shfaqja e sëmundjeve në stinën e vjeshtës apo të dimrit. “Artriti që prek kyçet e pacientëve, ka karakter simetrik. Në momentin që sëmundja nuk kurohet në kohën e duhur, artriti çon në ankilozë, apo invaliditet të të prekurve. Për të evituar sëmundje të kësaj grade, duhet filluar me një kujdes të hershëm që në nis me ambientin në të cilin jetojmë apo frekuentojmë, mënyrën e ushqyerjes, aktivitetin fizik të përditshëm etj.”, vijon Teuta Backa. Por, në kuadër të sëmundjeve reumatizmale, nuk duhet mohuar assesi edhe një faktor eminent, siç është ai i trashëgimisë. Mjaftojnë vetëm disa analiza të thjeshta, siç janë ato të gjakut, të cilat konfirmojnë diagnozën, mandej ekzaminimet radiologjike më të detajuara që çojnë në përcaktimin e llojit të sëmundjes, dhe përcaktimi i mjekimit të duhur e të nevojshëm për pacientin vjen si rezultante e të gjithë këtij procesi”, përfundon shefja e klinikës universitare të Reumatologjisë në QSUT.

Këshilla të vlefshme!
• Duhet bërë shumë kujdes në mënyrën e ushqyerjes. Obeziteti është një nga faktorët e riskut sa i takon sëmundjeve reumatizmale. Konsumimi i llojshmërive të frutave dhe zarzavateve duhet të fillojë që në moshë të re, për të vijuar në gjithë etapat e tjera të jetës. Duhet të konsumohen ushqime bio, kryesisht bulmetra të pasura me kalcium, dhe jo me yndyrë apo kripë. Peshku, gjithashtu nuk duhet t’i mungojë menusë së ditëve të secilit prej nesh.

• Aktiviteti fizik është tepër i nevojshëm në mirëfunksionimin e sistemit kockor. Në kohët moderne, individi është bërë gjithnjë e më shumë pasiv, ndërkohë që këshillohen rreth 40 minuta në ditë ecje në natyrë, ose ushtrime fizike në kushtet e shtëpisë ose në palestër.

• Rekomandohet ekspozimi në diell, në orët e para të mëngjesit, ose në orët e vona të pasdites, kur ato nuk janë të dëmshme. Rrezet natyrale janë të dobishme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e sëmundjeve të ndryshme të kockave.

• Heqja dorë nga veset. Duhani dhe alkooli janë faktorë të rrezikshëm që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve të kockave.

• Individët duhet të shmangin ambientet e mbyllura, sidomos në periudhën e dimrit, apo të epidemive, sepse kësi ambientesh kthehen në vatra të përhapjes së sëmundjeve të ndryshme që prekin organizmin, siç janë edhe ato me karakter reumatizmal.

Ermira Isufaj

© Panorama.al

Te lidhura