Tërmetet e forta tronditin Greqinë, lëkundjet ndihen në disa zona. Raportohen dëme në banesa dhe rrëshqitje dherash

Jun 7, 2026 | 14:43

Tre tërmete të forta goditën mesditën e së dielës zonën e Evias në Greqi, ndërsa lëkundjet u ndjenë në shumë rajone të vendit, përfshirë edhe Atikën.

seismos-mak3

Sipas autoriteteve greke, tërmeti i parë ishte me magnitudë 4.8 ballë të shkallës Rihter dhe kishte epiqendrën 6 kilometra në jug të Prokopit në Evia. Pak minuta më vonë u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 4.3 Rihter, ndërsa tërmeti më i fortë arriti magnitudën 5.2 Rihter, me epiqendër në të njëjtën zonë.

Pas tre lëkundjeve kryesore, u regjistruan edhe disa pasgoditje të tjera me magnitudë rreth 3 ballë Rihter.

Nga tërmetet janë raportuar dëme materiale dhe rrëshqitje dherash në disa zona. Kryebashkiaku i Mantudit, Giannis Tsapourniotis, deklaroi se janë regjistruar rrëshqitje të shumta në rrugët e zonave Plakia dhe Dafnousa, por deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar.

Sizmologët grekë theksojnë se Evia Veriore është një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe me shumë çarje aktive tektonike. Sipas mediave greke, deri tani nuk ka arsye për shqetësim, megjithëse situata po monitorohet nga afër.

Presidenti i Organizatës Greke për Mbrojtjen nga Tërmetet, Efthymios Lekkas, deklaroi se tërmete të tilla janë karakteristike për rajonin dhe zakonisht nuk shoqërohen me lëkundje shumë më të forta.

© Panorama.al

Te lidhura